Reduktimi i varfërisë nuk ka reaguar shumë ndaj rritjes ekonomike, midis periudhës 2014 dhe 2017, në krahasim me periudhën e parakrizës dhe varfëria vlerësohet se është rritur që atëhere. Ky është konkluzioni i Bankës Botërore në raportin e fundit për diagnostikimin e vendit.
Banka vëren se që nga viti 2015, varfëria ishte në stanjacion (ajo ra me 0.2 pikë përqindje midis 2015 dhe 2017) dhe deri në 2017, afër 4 në 10 shqiptarë ende jetuan me më pak se 5.5 dollarë amerikanë në ditë. Në fakt, deri në vitin 2017 niveli i varfërisë ishte ende mbi nivelin e vitit 2008.
Sipas raportit të Bankës, midis 2002 dhe 2008, një rritje prej një përqind e PBB-së u shoqërua me një ulje të varfërisë prej 1.2 përqind. Pas vitit 2014, elasticiteti i rritjes së varfërisë ra dhe një rritje prej një përqind e PBB-së rezultoi vetëm në një ulje të varfërisë 0.8 përqind.
Rritja e prosperitetit te shtresat e varfëra ishte pak më e lartë gjatë periudhës para krizës: ndërmjet 2005 dhe 2008, 40 përqind e popullsisë që jetonte në kufirin e poshtëm të varfërisë shënoi një rritje vjetore të konsumit mesatar prej 2.64 përqind, mbi mesataren për popullsinë e përgjithshme (1.25 përqind). Tkurrja e ekonomisë midis 2008 dhe 2012 goditi fort 40 përqindëshin që jeton nën kufirin e 5.5 dollarëve në ditë, dhe konsumi i tyre mesatar ra me 1.2 përqind. Midis 2014 dhe 2017, përsëri u vërejt një rritje pozitive në mesataren e konsumit të shtresës së varfër, megjithëse pak më poshtë nivelit të para krizës (me 2.44% në vit, kundrejt 0.7 përqind në vit për popullsinë e përgjithshme).
Banka Botërore vlerëson se varfëria do të rritet më tej pas tërmetit dhe krizës së shkaktuar nga Covid-19. “Parashikimet e hershme të varfërisë pas tërmetit dhe pandemisë Covid-19 sugjerojnë se varfëria do të vazhdojë të rrijë në kufirin e rreth 40 përqind në vitin 2020, në thelb duke fshirë çdo ulje të varfërisë të konstatuar vitet e fundit”.
Pse rritja ekonomike nuk ul varfërinë, ndryshe nga rajoni
Shqipëria vlerësohet se ka elasticitetin më të ulët në lidhjen mes rritjes ekonomike dhe varfërisë në rajon, përveç faktit që ai është përkeqësuar vitet e fundit. Sipas grafikut të Bankës Botërore, në Serbi, një rritje me një përqind e PBB-së e uli varfërinë me gati 4% në periudhën 2013-2016 (përkundrejt 0.8 që e reduktoi në Shqipëri).
Një shpjegim lidhet me modelin e rritjes së Shqipërisë dhe llojin e punësimit. Banka Botërore thekson se rritja ka qenë e orientuar nga konsumi që ka nxitur sektorët e patregtueshëm dhe punësimin me aftësi të ulëta.
Investimet e Huaja Direkte në infrastrukturën energjetike dhe eksportet e energjisë elektrike (si rrjedhojë e shiut) ndikuan në rritjen e PBB-së, por asnjë prej tyre nuk ndikoi në krijimin e vendeve të punës cilësore, dhe investimet nuk kanë forcuar zinxhirët e vlerës që lidhen me tregjet rajonale dhe globale.
Formimi i kapitalit fiks bruto mbeti në rreth 24 përqind të PBB-së përgjatë gjithë periudhës 2014-18. Tregtia ndërkombëtare e mallrave dhe shërbimeve është rritur por ajo mbetet pas vendeve të tjera dhe nuk ka udhëhequr transformimin strukturor.
Ndërsa industritë kryesore për rritjen e ardhshme në Shqipëri, siç është turizmi dhe transferimi i njohurive janë zhvilluar kohët e fundit, struktura e punësimit në të gjithë sektorët ka ndryshuar ngadalë në favor të prodhimtarisë dhe shërbimeve, dhe bujqësia ende punësoi rreth 38 përqind të fuqisë punëtore në vitin 2019.
Ndërkohë, ekosistemi i sektorit privat përbëhet nga firma kryesisht të vogla që investojnë pak në adoptimin e teknologjisë dhe inovacionin, përballen me mungesë aftësish (veçanërisht menaxheriale) dhe konkurrojnë në një treg me informalitet të lartë, të gjitha këto zvogëlojnë potencialin e tyre të rritjes. Rendimenti i ulët i sektorit bujqësor gjithashtu kontribuon në pabarazitë rajonale në standardet e jetesës dhe i shtyn njerëzit të migrojnë nga zonat rurale, duke rritur dendësinë urbane.
Banka shton se ndonëse numri i vendeve të punës është rritur ndjeshëm në 2013-2019, ai nuk ka qenë cilësor. Pagat janë më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor (bazuar në fuqinë blerëse) dhe informaliteti mbetet i lartë. Mbi 30% e vendeve të punës janë informale. Përqindja e punësimit me kohë të pjesshme dhe e vetëpunësimit është më e larta në rajon. Bujqësia me produktivitet të ulët përbën rreth 40% të totalit të punësimit, ndërsa prodhimi dhe shërbimet janë të nënzhvilluara.
Raporti thekson se mungesa e vendeve cilësore të punës është një prej arsyeve kryesore që ka nxitur emigracionin. /Monitor