Nga Blendi Gashi

Jo pak parregullsi ka gjetur Auditi në Ministrinë e Drejtësisë për vitin 2017-të, por problemi më i madh i evidentuar është mos kthimi i parave të personave të burgosur që janë liruar.

Sipas Ligjit mbi sanksionet penale dhe rregullës financiare 09/2012 për fondet në mirëbesim, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) është përgjegjëse për mbajtjen e evidencës së pranimeve, kthimeve si dhe për gjendjen e depozitave te të burgosurve. Aktet e lartëcekura poashtu përcaktojnë që sendet personale dhe paratë e deponuara duhet t’u kthehen të burgosurve pas lirimit të tyre.

Mirëpo duket se Ministria e Drejtësisë nuk ka respektuar ligjin pasi Auditi ka gjetur që paratë e të burgosurve në vlerë prej 32,647 euro nuk u janë kthyer të burgosurve pas lirimit.

“Vetëm në Qendrën Korrektuese të Dubravës vlera e depozitave që nuk janë kthyer ishte 17,553 euro. Sipas zyrtarëve përgjegjës, këto mjete nuk janë kthyer, për arsye se disa nga të burgosurit pas lirimit, nuk janë interesuar për mjetet të cilat ju kanë mbetur si depozita”, thuhet në raport.

Këtë gjë MD e bëri edhe në vitin 2016-të pasi nuk ua ktheu të burgosurve që u liruan paratë në vlerë prej 25 mijë e 644 euro.

“Kryerje e pagesave pas afatit ligjor”

Një problem tjetër është mangësia në procesimin e pagesave. Rregulla financiare Nr.01/2013 përcakton se “të gjitha faturat që i pranon organizata buxhetore, duhet të paguhen brenda 30 ditëve në qoftë se nuk është paraparë ndryshe me kontratë”.

Por Auditi ka gjetur se në SHKK, në 30 raste pagesat me vlerë të përbashkët prej 529,809 euro janë kryer pas afatit të paraparë ligjor prej 30 ditësh.

“Vonesat kryesisht janë prej 30 deri në 60 ditë përtej afatit të paraparë ligjor, derisa kjo çështje, është përsëritur nga vitet paraprake. Si arsyetim për këtë zyrtarët e SHKK-së theksuan që gjatë vitit 2017 ishin përballur me vështirësi të alokimit të mjeteve me kohë dhe me probleme me sistemin e thesarit për të realizuar pagesat”, thuhet në raport.

 “Mbushja e pozitave me ushtrues detyre”

E gjetur tjetër është edhe plotësimi i pozitave me ushtrues të detyrës për më gjatë se tre muaj, problematikë pothuajse në çdo institucion, në kundërshtim me rregulloret.

“Në burgun e Sigurisë së Lartë që nga marsi 2016, një zyrtar korrektues është caktuar ushtrues i detyrës i Udhëheqësit të Njësisë për Siguri të Brendshme.Zv.drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë (QPM), është caktuar ushtrues detyre i drejtorit të QPM-së që nga data 06.01.2016.Në Qendrën Korrektuese në Dubravë (QKD) nga pozita udhëheqës i administratës, është caktuar ushtrues deture i zv.drejtorit në QKD, në fund të dhjetorit 2016.Në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë një zyrtar i cili ka qenë ushtrues detyre i udhëheqësit për siguri në Zyrën Qendrore të SHKK-së, ishte caktuar më pas ushtrues detyre i drejtorit të Drejtoratit për Operativë, Siguri dhe Transportim të Burgosurve në Zyrën Qendrore të SHKK-së”.Për të gjitha këto raste Auditi thotë se nuk ka ndonjë arsyetim të vlefshëm se pse këto pozita kanë vazhduar të mbahen nga ushtruesit e detyrës.

Sfidë tjetër e Ministrisë së Drejtësisë mbetet realizimi i buxhetit për investime kapitale. Sipas Auditit dinamika e shpenzimit të buxhetit nuk ishte në harmoni me planin e rrjedhës së parasë, pasi që rreth 92% e buxhetit ishte shpenzuar vetëm në tremujorin e fundit.

“Arsye për ketë ishin vonesat në inicimin e procedurave të prokurimit, anulimi i procedurave të prokurimit, vonesat në realizimin e punimeve për shkak të specifikave që i kanë burgjet etj”, thuhet në raport.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re