Pasi është konsumuar “Xhisiela”, në një lloj zhvillimi me shumë personazhe e po aq aspekte, opozita i është rikthyer Ballës, të ndërfutur te Xhisela e Rrexhepi, prej rrëfimit të ish-oficerit në arrati, Emiljano Nuhu. Opozita e ka heroizuar këtë të fundit, jo vetëm duke mos ia diskutuar fare vërtetësinë e ca dëshmive por duke e mbajtur gjallë mitin e tij, një pozicion që e kompromenton rëndë. Pas kaq ditësh zhvillim, është e qartë se Nuhu nuk është nisur nga ndonjë premisë moralo-profesioniste në denoncimin e rastit, pasi përndryshe nuk do ia mbathte si dezertor, por e ka përdorur rastin, duke përzier të vërtetat me gënjeshtrat që në shumatore të mund të merrte atë që shumë shqiptarë e dëshirojnë këto kohë: statusin e azilantit.

Aspekti më i rëndë i tij është rasti “Balla”. Zëra opozitarë, edhe në media e rrjete, shprehjet e Ramës adresuar Nuhut, si “horr” dhe “ndjekje hap pas hapi”, dhelpërisht ia kalojën Xhisielës, por ato qartazi u thanë për rastin “Balla”. Dhe gjersa nuk është sqaruar e vërteta, edhe pretendimet e Ramës e Ballës se Nuhu gënjen si derri qëndrojnë në një linjë me të kundërtën, dhe po ashtu, nëse Rama ka bindjen se ajo çfarë thotë Nuhu për prezencën e Ballës në komisariat është një gënjeshtër, ka të drejtën dhe të ashpërsimit të gjuhës. Gënjeshtra e qëllimtë, sidomos në të tilla raste kur në lojë është shteti, përbën një shantazh.

Nuhu, nëse vërtet do ishte hem profesionist e hem i moralshëm, nuk do e kish lëshuar akuzën pa të paktën një provë në xhep. Siç po shihet nuk ka asnjë. Është mjaftuar të thotë “kam prova”, por deri këtu. Ai, në pozitën ku ndodhet, është shumë komod t’i nxjerrë ato. Kështu ia lehtëson pozitën vetes, si dhe opozitës.

Për ta provuar nëse Balla ka qenë në atë pozitë që pretendon Nuhu, mjaft të ngrihet një arsyetim hipotetik, nëpërmjet pyetjeve: po përse duhej të ishte, për ç’arsye dhe aq më tepër në një zonë që nuk është as e tija e as që ka ndonjë lidhje të veçantë? Pse aty me patjetër duhej të ishte dhe Artur Bushi? Dhe si është e mundur që Balla të jetë aq leshko sa ta vendosë veten në një rrethanë ku një oficeri policie i vihet pistoleta në kokë?

Vetë thjeshtësimi deri në naivitet që zakonisht opozita ndërton akuzat e saj, duke i përrallizuar ato, e çon skenën në nivele ekstreme pabesueshmërie. Taulant Balla mund të jetë një pusht, por jo kështu si serviret, edhe nga oficeri i policisë që i thotë vetes profesionist. Profesionist që nuk arrin të sigurojë një provë për të përligjur akuzën që lëshon!

Në këtë nivel mjeran më pas ti sheh të bie Enkelejd Alibeaj, njeriun që e ka më pasion afirmimin si specialist jurispundence, por që i zhytur në një lloj politikëbërje që nuk e njeh moral, bën pis dhe profesionin.

Deklarata e tij më e fundit:

“Me urdhër të Ardi Veliut, Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit,  Alfred Çepe, ka ngritur një grup pune për të gjetur dhe fshirë çdo kamera që mund të provojnë praninë e Taulant Ballës, Rrahman Rrajës dhe  Artur Bushit në Policinë e Fushë Krujës në 21  Korrik.  Policët e zonës e dinë se ky grup pune me detyrë specifike fshirjen e kamerave dhe serverave të bizneseve pranë Policisë kanë kërcënuar me  tatimorë, banditë dhe armë këdo që ka refuzuar të bashkëpunojë për  shkatërrimin e provave. 

Punonjësit e policisë dhe punonjësit e SHKB-së tregojnë se vetë  Drejtori i Policisë se Qarkut Durrës, Alfred Çepe është përfshirë  personalisht në operacionin për zhdukjen e provave që implikojnë  Taualant Ballën, Artri Bushin dhe Rrahman Rrajën në kërcënimin  me armë të nënkomisar Emiljano Nuhut. 

 Ministri i Brendshëm është në dijeni të plotë të këtij operacioni, por nuk ka ndërhyrë për ta ndaluar atë”.

Pyetja, por nëse zgjedh t’ja bësh një juristi e jo politikani, është: mbi ç’fakte ngrihen këto akuza?

Më pas, pozita e Alibeajt në këtë rast, ku i bie të artikulojë fjalët “kamera” e “servera”, është ironike deri në dhimbje. Alibeaj ka qenë kreu i komisionit hetimor të ngritur nga PD për 21 Janarin. Dhe dihet më pas se ç’ngjau me atë komision. U shkri deri në vetëdiskretitim sapo nisën të dalin fakte të rënda për vrasjet e ndodhura e manipulimin me “kamera” e “servera” të së vërtetës së atyre vrasjeve, dhe e gjitha kjo me vulë amerikane. Ndaj, Alibeaj duhet të jetë i fundit që duhet të dalë e të flasë për këtë çështje, vetëm nëse pranon se nuk do flasë më nëpër studio si jurist.

Fakti se në këtë lloj qasjeje, politika ndahet si me thikë me moralin e gjithashtu me profesionin, duke qenë thjesht një qëllim në vetvete, e ushqen të keqen që pretendohet të denoncohet e ndëshkohet.                                                           

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re