Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka mohuar kategorikisht që trajneri i kombëtares, Edy Reja do t’i bashkohet skuadrës së Napolit.

I pyetur nga radio “Kiss Kiss” mbi mundësinë që Reja të jetë zëvendësuesi i Gennaro Gatuzzo-s, shefi i FSHF-së madje ka folur me ironi duke thënë se trajneri nuk i ka thënë gjë akoma se do të jetë i dy punësuar.

“Reja në Napoli në vend të Gattusos? “Më kanë ardhur këto zëra, por nuk di asgjë. Napoli nuk më ka kontaktuar kurrë dhe Reja nuk më tha për mundësinë e të bërit një punë të dyfishtë si trajner. Por po e specifikoj tani, që është një mundësi për tu përjashtuar kategorikisht: nuk mund të bëhet, një trajner nuk mund të jetë në një ekip kombëtar dhe një klub në të njëjtën kohë. Nuk do të ndodhë ”, tha Duka.

Armand Duka foli edhe për penalizimin që po i bëhet klubeve italiane në Europë nga arbitrimi, por edhe te lojtarët shqiptarë që po luajnë në elitën e futbollit italian.

 “Arbitrat mund të bëjnë gabime ashtu si gabojnë futbollistët apo trajnerët. Përkundrazi, skuadrat italiane janë të këndshme për të gjithë dhe nuk jam dakord me ata që thonë se janë në shënjestër të gjyqtarëve. Do të shtoja se të gjitha klubet e të gjitha kombeve ndonjëherë ankohen. Gabimet e gjyqtarëve janë thjesht pjesë e lojës. Jam i lumtur që lojtarët shqiptarë po luajnë mirë me ekipet e tyre përkatëse, shikoni për shembull te Djimsiti dje me Atalanta. Shpresojmë të bëjmë mirë në impenjimet tona zyrtare në mars” përfundoi Armand Duka.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re