Rëndohet bilanci i të infektuarve dhe i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri. Në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën gjashtë qytetarë të tjerë, duke e çuar totalin e vdekjeve në 219.

“Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 62 vjeçar nga Tepelena, një 63 vjeçar nga Lezha, një 70 vjeçar nga Mati dhe 3 qytetarë nga Tirana; një 73 vjeçare, një 81 vjeçar dhe një 82 vjeçar.”

I lartë është edhe numri i personave të infektuar, që u raportuan këtë të premte nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas Mirela Camit, midis 639 të testuarve, u konfirmuan pozitivë 146 vetë.

Ky është një numër më i ulët krahasuar me një ditë më parë, kur u regjistruan 154 raste. 

“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 76 raste në Tiranë, 23 në Krujë, 11 në Fier, 7 në Durrës, 6 në Kukës, 5 në Elbasan, 4 në Shkodër, nga 2 raste në Kurbin, Lezhë, Kamëz, Malësi e Madhe, nga 1 rast Has, Kavajë, Lushnje, Pukë, Tepelenë, Bulqizë.”

Gjithsej, në vendin tonë janë infektuar 7.117 persona që nga marsi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re