Reshjet e dendura kanë sjellë edhe përkeqësim të situatës së përmbytjeve në bashkinë e Shkodrës.

Forcat e Armatosura kanë shtuar praninë në terren për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur dhe pushtetit lokal për të përballuar situatën.

Trupat dhe mjetet e batalionit të I të këmbësorisë së Vaut të Dejës (b1k) evakuuan 2 familje në lagjen “Iliria” të qytetit të Shkodrës, të cilat u transportuan për t’u strehuar në konviktin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Gjithashtu, trupat dhe mjetet e b1k evakuuan rreth 150 krerë bagëti e imët nga lagjja e njohur si Livadhet pranë bregut të liqenit në qytetin e Shkodrës.

Në njësinë administrative Dajç, trupat dhe mjetet e b1k evakuuan rreth 2000 shpendë nga një fermë private, për t’i dërguar në fshatin Shirq.

Në fshatin Obot të njësisë administrative Ana e Malit vijon transporti i banorëve për nevojat e tyre të përditshme nëpërmjet mjeteve lundruese të batalionit të mbështetjes rajonale (BMR) dhe mjeteve të kalueshmërisë së lartë të b1k.

BMR ka angazhuar në bashkinë e Shkodrës 7 mjete lundruese, të cilat mundësojnë lëvizjen e banorëve dhe janë në gatishmëri për çdo evakuim të mundshëm.

Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile Haki Çako dhe prefektja e qarkut Majlinda Angoni po ndjek situatën në zonat e përmbytura në bashkinë e Shkodrës.

Në gjithë qarkun e Shkodrës janë 5030 ha sipërfaqe totale e përmbytur, ndërkohë që ka prani të ujit në disa banesa në lagjet e qytetit dhe në njësitë Ana e Malit dhe Dajç.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me pushtetin vendor po monitoron situatën dhe po koordinon punën për përballimin sa më të mirë të gjendjes së shkaktuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re