Mbrëmjen e 22 majit, kalaja e Gjirokastrës u kthye në një skenë të gjallë, me fillimin e edicionit të pestë të festivalit të muzikës klasike “GjiroClassica”

Mbrëmjen e 22 majit, kalaja e Gjirokastrës u kthye në një skenë të gjallë, me fillimin e edicionit të pestë të festivalit të muzikës klasike “GjiroClassica”.

Këtë vit, festivali i është kushtuar të rinjve. Një vendim i qëllimshëm për të vënë në qendër artistët në ngritje, ata që kanë ndërtuar tashmë një identitet profesional, por që kërkojnë ende hapësira për tu dëgjuar, për tu parë e për tu rritur.

Ylli Haliti ishte një prej tyre. 18 vjeç, nga Mitrovica, ai u ngjit për herë të parë në skenën e këtij festivali.

“Është hera e parë që performoj në Gjirokastër, por kam qenë më parë si turist. Sot jam ndjerë shumë mirë në skenën e festivalit , salla ishte shumë e bukur, te Kalaja e Gjirokastrës. Pianoja më ngjalli një ndjesi shumë të lirë dhe ishte akorduar pak para performancës, çka ishte ndihmesë shumë e madhe për performuesin. Publiku ishte fantastik dhe ndjenjat ,të papërshkrueshme.”

Mbrëmja e parë shënoi jo vetëm fillimin e një jave koncertesh dhe garash, por edhe të një atmosfere që synon t’i sjellë qytetit një energji të re kulturore. Njëra prej organizatoreve të festivalit, pianistja Mimoza Çabeli, u shpreh me entuziazëm për vazhdimësinë.

“Ishte një mbrëmje fantastike. Do të ketë në vazhdimësi të tilla mbrëmje. Në datë 24 do të jetë një aktivitet shumë i bukur në qytetin e Gjirokastrës , një koncert shëtitës në shtëpi karakteristike si tek Kadare, muzeu etnografik, tek Skëndulatët, tek mesi i Pazarit.”

Në skenën e “GjiroClassica”-s do të ngjiten këtë vit disa dhjetëra artistë të moshave dhe kombësive të ndryshme, duke e kthyer Gjirokastrën jo vetëm në një pikë takimi për interpretuesit, por edhe në një hapësirë të rëndësishme të dialogut kulturor.

Gradualisht, festivali po bëhet pjesë e natyrshme e jetës artistike të qytetit,  jo vetëm sepse i shkon hijeshisë arkitektonike dhe frymës historike të Gjirokastrës, por sepse po kultivon një marrëdhënie të qëndrueshme me publikun.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko