Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar në lidhje me punësimin e një mësuesi pedofil në qytetin e Beratit, rast i trajtuar gjerësisht dhe nga Faxweb.al ditën e sotme. Kushi shprehet se mësuesi Ëngjëll Bregu është larguar menjëherë nga puna dhe kanë nisur hetimet për të gjetur personat që kanë neglizhuar informacionin rreth tij.

Postimi i Kushit:  

Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2013 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona.

Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese.

Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe nuk tolerojmë askënd që cënon mirëqenien e tyre. Ndërkohë, ne në MAS do të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore, për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve, për të mos lejuar që të ndodhin më raste që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët tanë.

Ju lutem të gjithëve, prindër, nxënës, mësues, apo përfaqësues të komuniteteve, denonconi cdo rast që cënon, apo dyshoni se rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj.

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re