Nga: Hoxhë Alban Gorishti

Thotë pejgamberi alejhi selam: “Ҫdo popull ka patur sprovat e veta (pra sfidat , pasionet , testet shpirtërore apo trupore) ndërsa sprova e pasuesve të mij është pasuria” Trimidhiu në zuhd 2337

Përse vazhdimisht dështon kjo bashkësi në unifikimin e reshtave të saj? Përse sektarizohet? Përse kundërshtohet? Përse zgjedh më të lehtin prej interesave karshi më të fuqishmit prej principeve? Përse sëmuret? Përse uzurpohet nga diktatorët apo “barinjtë” dikur këmbëzbathur e sot barkfryrë? Etj etj prej pyetjeve që më erdhën në mendje kur po mendoja për problematikat nëpër të cilat ka kaluar kjo bashkësi me kalimin e kohës . Nëse shikon në problemet e bashkësive të tjera me sfond religjoz do të vëresh se sfidat e tyre kanë qënë kryesisht të tipit doktrinor ndërsa doktrina jonë është dhe do të ngelet ajo më e shëndetëshmja midis problemeve që na karakterizojnë. Atëherë ku qëndron problemi? E thjeshtë problemi qëndron tek ne dhe pasioni ynë për këtë botë. Ne nuk kemi problem në vet kredon tonë por diagnoza është individuale. Ashtu siҫ sëmundja dhe pasioni kryesor i Karunit ishte mburrja me pasurinë që posedonte dhe krenimi me aftësitë e veta se gjoja ajo që posedonte ishte meritë ekskluzive e tij ngjashëm edhe diagnostifikimi i sëmundjes së kësaj bashkësie mbart një sfond të hershëm historik por që në thelb ka njeriun dhe kurrsesi fenë. Afërsia me sulltanët (pushtetarët) tradhëtimi i kauzës për pak dinarë apo shumë qofshin, luajta e standarteve të dyfishta për interesa të caktuara etj janë dhe kanë qënë sfidat më të mëdha të kësaj bashkësie . Kjo jo sepse në thelb nuk ekziston edhe tek bashkësitë e tjera por aty disleksia (vështirësia e të nxënit apo lexuarit) doktrinore është e metë e korruptimit të vet themeleve të doktrinës në vetvete , ndërsa tek ne është pasojë e një “disleksie individuale”. Pra nëse disleksia si term ka të bëjë me vështirësi neurologjike për të dalluar dhe përthithur shkronja me karakteristika të përafërta si psh “p” me “q” apo “b” me “d” atëherë paaftësia apo vështirësia e individëve të këtij umeti ka të bëjë me sëmundjen e nefsit i cili me qëllim e ngatrron “p” me “q” apo “b” me “d”. Ose ndoshta ia ngatërron vendet pa e kuptuar se tashmë vetja e tij e sëmurë ia justifikon edhe gabimin e pajustifikueshëm apo e konverton realitetin në ndjekje të pasionit të vet në mënyrë që të përshtatet me llogjikën e vet (nefsit) utilitare. Kështu në një rrethanë tjetër Muhamedi alejhi selam thoshte: “Nuk friksohem se do të ktheheni në mosbesimtar pas meje duke adhuruar dikë tjetër me përjashtim të Allahut por friksohem se do të luftoni për këtë botë dhe do të shkatërroheni për shkak të saj..” Buhariu dhe Muslimi 2296.

Prej faktorëve që e përforcojnë këtë diagnozë është se kur shikojnë pasuritë muslimanët thonë ashtu siҫ thanë ata që e dëshmuan me ëndje pasurinë e Karunit, siҫ tregon edhe Allahu për ta në Kuran: Kur ai dilte para popullit të vet me stolitë e tij, ata që lakmonin jetën e kësaj bote thanë: “Ah! Sikur të na ishte dhënë edhe neve si Karunit! Vërtet që ai është njeri me fat.” Kasas 79 . Kështu i sheh shumë muslimanë sot sesi mahniten nga stolitë e “Karunve” të shumtë të kësaj bote aq shumë saqë nefsi i tyre sëmuret,zemrat e tyre devijojnë dhe sektarizohen, pozitat që uzurpojnë në këtë mënyrë iu duken si trashgimi e vjetër e parardhësve të tyre, sytë e tyre verbohen dhe ngjyra e vetme që ato shikojnë është ajo e interesit dhe e pushtetit . Por po ashtu prej elementëve përkeqësues të kësaj diagnoze është edhe mënyra gati e painteresuar apo papërfillëse në momentin që atyre i lexohen thënie si ajo profetike ku thuhet se: Nuk është pasuria në shumfishim material por pasuria e vërtetë është ajo shpirtërore”Muslimi 1051. Në momentet të tilla ata kalojnë në mbrojtje duke u justifikuar pasurinë si mirësi e Zotit të cilën ai e ka krijuar për rrobrit e vet besimtar. Apo e justifikojnë pushtetin apo afërsinë ndaj tij si mjet për të mirëpërfaqësuar apo ndihmuar kauzën e Zotit! Justifikime dhe fjalë nëpërmjet të cilave nefsi i tij dhe djalli e mashtron njeriun për tia bërë më të bukur lëshimin në parime dhe zbrazjen shpirtërore. Ashtu sikurse edhe Karuni pohoi: Ai (Karuni) tha: “Më është dhënë vetëm në sajë të dijes sime!” Kasas 78

Ndërsa disa të tjerë harrojnë tërësisht “kostumin” religjoz madje ndoshta edhe fenë në tërësi për pak pozitë apo pasuri të kësaj bote. Harrojnë madje edhe vet shembullin profetik sesi duhet të sillesh edhe me atë që të jepet por edhe me atë që vet e kërkon duke rrendur pas saj. Indikacionet janë të qarta dhe diagnoza është tërësisht e mbështetur në fakte sa historike aq edhe filozofike, ne vazhdojmë të rrëzohemi në të njëjtat “gropa tumorale” tek të cilat ranë edhe popujt para nesh. Por pejgamberi, feja jonë siç thamë nuk ka probleme parimore por jemi ne që kemi problem me këtë dunja saqë shkojmë pas saj duke e harruar parimin e saj. Kështu Omeri tregon se: “Kur Pejgamberi më jepte pasuri, unë vazhdimisht i thosha: Jepja dikujt që është më i varfër se unë”, ndërsa njëherë ai i tha “ O Omer kur dikush të jep një pasuri të tillë, pa e lakmuar dhe pa e lypur, merre, në të kundërtën, mos vrapo pas saj.” Buhariu 7164.

Kjo ështe sëmundja jonë e kahershme ajo që na ka rrezikuar pozitat dhe na ka prekur në nderet apo shenjtëritë tona. Njeriu primitiv qenien e përfytyron si nje fenomen i cili qëndron tek njeriu por edhe ndahet nga ai, pra kjo qenie pas vdekjes ndahet dhe humbet. Ndërsa besimtari nuk e ndan kurrë ҫështjen e shpirtit nga trupi dhe as të kësaj bote nga tjetra pasi ҫdo veprim i tij trupor ka për t’u trashëguar në një suksesion të gjatë deri në pasoja të menjëhershme apo të mëvonshme shpirtërore në botën tjetër. Zoti në Kuran kur trajton këtë botë ( el ula) flet edhe për tjetrën (el akhireh) si një njësi e pandashme matëse midis interpretimeve fitimprurëse në këtë botë dhe pasojave shpaguese të tjetrës. Kjo pasi besimtari si binom njerëzor shpirt- trup vlerëson materialen për aq kohë sa është në shërbim të shpirtërores. Islami është fe që nuk i mat gjërat me kallëpe shkencore dhe as teori fizike por me vlerësimin e të brendshmes në radhë të parë si kundërshtim i natyrës së thjesht utilitariste që gjendet tek njeriu (ha .pi. fito pasuri). Kjo pasi ҫdokujt ka për tiu lehtësuar ajo për të cilën është krijuar , thotë Allahu në Kuran: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më së bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit..”
Nëse dëshironi të shikoni sesi i vlerëson gjerat Islami dhe sesi nxit për ti shëruar shpirtrat e sëmurë nga sëmundje të tilla mjafton të lexoni hadithin e mëposhtëm ku pejgamberi alejhi selam thotë: Me të vërtetë mbrëmë kam parë diҫ (ëndërr) shumë të habitshme, kam parë një njeri prej pasuesve të mij që e kishin mbuluar ëngjëjt e dënimit e atij i erdhi abdesti i tij dhe e shpëtoi prej tyre. Po ashtu kam parë një person prej pasuesve të mij që e kishte kapluar ndëshkimi i jetës në berzah të cilit i erdhi namazi i tij duke e shpëtuar.Po ashtu kam parë një person prej pasuesve të mij që i erdhën djajtë dhe e shpëtoi përkujtimi që ai i bënte Zotit,po ashtu kam parë një njeri prej tyre që vuante për ujë ndërsa atij i erdhi agjërimi dhe e freskoi po ashtu pashë dikë që e mbulonte errësira dhe e ndriҫoi haxhi dhe umreja e tij…” , hadithi është i gjatë por e rëndësishme prej asaj që dëshmohet në të është se pasuria apo pozita janë fenomene të cilat nuk shërbejnë si shpaguese nga dukuritë negative të cilat fitohen në këtë botë nëpërmjet trupave të cilat përҫohen në tjetrën nepërmjet shpirtrave. Këtu pejgamberi nuk thotë se kur njeriu u et shumë për ujë bleu kaq e aq pije me pasurinë e tij por “bleu” atë ujë me punët e tija të mira që i kishte bërë në këtë botë. Allahu është ai që i dhuron bollëk kujt të dojë ndërsa ilaҫi është që njeriu ta kërkojë këtë bollëk në format legjitime të të kërkuarit. Të gjitha veprat vlerësohen sipas qëllimeve sado qoftë sasia apo cilësia e tyre, ndërsa mëshira e Allahut është pasuria më e mirë e besimtarit . Për këtë Allahu thotë në fund të historisë së Karunit: Kush bën një të mirë, do të ketë shpërblim më të mirë se ajo. Ndërsa ai që bën një të keqe, do të dënohet vetëm aq sa e meriton vepra e tij” Kasas 84.

Ndaj, mos u dëshpëro, ekziston kura për ata që e dëshirojnë atë!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re