Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj e ka cilësuar përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha si një vendim shumë i vështirë, por në kushtet e ndodhura, ishte i duhuri.

Në një intervistë për Neës24, Gjekmarkaj është shprehur se nëse përjashtimi i tij do të hidhej në votë, të gjithë do të ishin kundër. Ndaj kjo, sipas tij e ka detyruar Bashën që të marrë mbi supe përgjegjësinë e këtij vendimi.

Gjithashtu, Gjekmarkaj thotë se ky vendim i ka çliruar deputetët nga përgjegjësia për të zgjedhur.

“Nuk e teproj nëse them se kur Basha shpalli këtë vendim, ngjante me nje personazh tragjik. Unë e kam pritur me trishtim të madh. Edhe vetë zoti Basha e ka pritur me trishtim të madh. Procedura e ndjekur linte për të dëshiruar, por nëse do të votohej të gjithë do të votonin kundër nga nderimi dhe roli në historinë e Shqipërisë. Berisha i ka bërë nderime shumë të vyera vendit. Është një vendim i vështirë i marrë nga Basha, më i drejti në këto momente. Ky vendim i ka shmangur deputetëve, i ka çliruar ata nga një përgjegjësi. Basha kishte dy rrugë: ose të merrte këtë vendim ose të jepte dorëheqjen.

PD ishte në  diktat. Nëse dorëhiqej Basha vinte një tjetër duke u rrezikuar të shpallej një organizatë e padëshiruar. Është e pamundur të vish në pushtet me përplasje me Amerikën. Ishte një rrugë pa shteg, e vetmja. PD do të hynte në një krizë dhe përplasje me SHBA-në që e rritën presionin ndaj PD-së. Ata lanë një ultimatum në zyrën e liderit demokrat. Ishte gabim, por ishte gabimi i duhur. Nuk mendoj që e ka bërë për interesa personale pasi vetë ai e mbështeti në 2-13-ën, në 2017-ën dhe 2021-shin. Është një vendim që e ka marrë një vend i huaj. Mua më dhemb si vendim”- tha ai.

I pyetur nëse Partia Demokratike rrezikon shpërbërjen pas vendimit për përjashtimin e Berishës, Gjekmarkaj e kundërshton, madje ai shprehet se demokratët do të ringrihen.

Ai thekson se në këtë fazë PD dëmtohet, por më pas do të bëhet opozita më luftarake e 30 viteve të fundit.

”Të jem i ndershëm, Sali Berisha është personalitet me përmasa të mëdha. Beteja e tij për Statut është betejë e vogël. Mund të jenë të tjerë që bëjnë beteja për statut. Ai është me shqisat më të forta si politikan. Mbase është sedra e lënduar e Berishës, presioni ka qenë shumë i madh ndaj Bashës. Basha e mori atë vendimin për ata 620 mijë demokratë. Unë mendoj që monopoli nuk është më në dorë të Ramës, nëse e lexuat deklaratën e ambasadës amerikane që do të bashkëpunojë me Bashën. Është akt i detyruar për të rivendosur marrëdhënien e PD me betejat në këtë vend.

Disa kolegë të mi tundin kartën e sovranizmit. Më duket e padrejtë çfarë ka ndodhur me Berishën, por nëse opozita është në dobësim të vazhdueshëm, kush fiton? Cili është mjeti për të rrëzuar Ramën nëse nuk forcohet opozita? Ne si opozitë duhet të kuptojmë ku kemi gabuar me ndërkombëtarët. Masakra e 25 prillit u lejua me bekimin ndërkombëtar, si 5 qershori. Duhet të gjejmë ku e kemi gabimin. Sigurisht që një debat i tillë dhe qëndrim i tillë PD në këtë fazë dëmtohet. Një pjesë e njerëzve që e mbështesin çoroditen . Nuk rrezikon shpërbërje, është dialektike të ketë debat të tillë. PD është parti që fermenton, shkund dhe ringrihet, do të jetë opozita më luftarake e këtyre 30 viteve.’’- tha Gjekmarkaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko