Pak javë para zgjedhjeve në 6 bashkitë e vendit, kreu i LZHK bën apel për krijimin e një fronti opozitar, ku të jenë së bashku Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

 

Sipas Shehit, bashkimi i PD dhe i të gjitha partive opozitare është e vetmja rrugë për të fituar në betejën e afërt zgjedhore.

 

DASHAMIR SHEHIKRYETAR I LZHK

“Ca të grupit të Berishës, ca të grupit të Bashës, ca nga ne të tjerët, mund të bëhet një komision I cili përzgjedh 6 kandidaturat. Kjo është formula më e mirë për të bashkëpunuar. Për ne është e rëndësishme të fitojmë, sepse nëse do humbi këtë herë, dhe me 3-4 kandidatura është e sigurt që do humbasim, ne pas ditës së zgjedhjeve ndajmë aksione më të vogla opozitare.”

 

Pas humbjes se zgjedhjeve të 25 prillit, Lulzim Basha nuk ka thirrur asnjëherë aleatët e tij dhe Shehi konfirmon se nuk e ka takuar as liderin historik të PD Sali Berisha. Shehi thekson se në rast se demokratët hyjnë të përçarë në zgjedhje, ai nuk do të bashkëpunojë me asnjërin.

 

“ Nqs këtë garë duan të bëjnë therror për sherret që kanë brenda, për të treguar kush është më i fortë, ky do ishte një gabim i madh. Kush pastaj do t’i përdorë këto partitë aleate, eja me mua që ti biem atij tjetrit, kjo pastaj është mish për top, unë nuk e pranoj.”

 

Ideja e kreut të LZHK Shehi për bashkimin e Berishës, Bashës, LSI dhe të gjitha partive të tjera në një koalicion duket e pamundur të arrihet në situatën, ku përçarja në PD është më e thellë se asnjëherë më parë dhe duket se në këto zgjedhje lokale opozita do të ketë kandidatë të Sali Berishës dhe kandidatët të Lulzim Bashës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re