Shoferi i një kamioni, i cili kaloi në urën e Darëzezës duke e shembur atë është arrestuar nga policia.

Në njoftim thuhet se shoferi i kamionit kaloi urën duke mos respektuar tabelën që parashikonte tonazhin.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve” shtetasin L. P., 52 vjeç, banues në Roskovec, pasi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke drejtuar automjetin me një rimorkiator mbi të cilin kishte ngarkuar një skrep, ka kaluar në urën e rrugës automobilistike Fier-Darzezë jashtë tonazhit të parashikuar në tabelën sinjalistike, duke e shëmbur urën”, thotë policia.

Ura u shemb mëngjesin e djeshëm, ndërsa prej kohësh ishte e amortizuar. Shembja e urës, ndërpret edhe komunikimin e banorëve të fshatit me zonat e tjera përreth.