Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit do të mblidhet sot për caktimin e rendit të ditës së seancës së 10 qershorit.

Me interes pritet nëse raporti i dalë nga komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit do të jetë apo jo për votim në këtë seancë.

Në mbledhjen e kaluar, anëtarët e komisionit e bënë të qartë se raporti do të dërgohet në Kuvend brenda afatit 7-ditor. Ky veprim sipas tyre u bë me qëllim që ai të jetë i disponueshëm për t’u përfshirë në rendin e ditës në mbledhjen më të afërt të mundshme, që përkon me seancën plenare të datës 10 qershor.

Konferenca e Kryetarëve, e cila diskuton dhe përcakton çështjet e rendit të ditës, pritet të shqyrtojë dhe vendosë mbi kërkesën e kreut të komisionit hetimor parlamentar, socialistit Alket Hyseni, për përfshirjen e raportit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta në rendin e ditës, duke zbatuar edhe afatet ligjore.

Fundjava i shërbeu stafit të komisionit për të vendosur në dispozicion një material me të thjeshtuar, pasi raporti i plotë është mjaft voluminoz dhe kërkon kohë për t’u njohur me të.

Përpos raportit, deputetët do të kenë një material të shkurtër, mbi gjetjet që komisioni hetimor i konsideron si fakte dhe prova ku kreu i shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën.

Në rast se raporti për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta do të jetë pjesë e rendit të ditës të seancës së 10 qershorit, kjo seancë do t’i gjejë deputetët e Kuvendit shqiptar në një situatë të paprecedentë, ku për herë të parë në 30 vite, një Parlament do të votojë për të shkarkuar një President republike.

Për të shkarkuar kreun e shtetit, maxhoranca, sipas nenit 88 të Kushtetutës, duhet të marrë jo me pak 94 vota ose 2/ 3 e të gjithë deputetëve.

Nëse në 10 qershor Kuvendi voton pro shkarkimit të Presidentit Meta, përfundimisht është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos nëse gjetjet e Parlamentit, për shkelje të Kushtetues nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo.

Megjithatë, sot është radha e Konferencës së Kryetarëve të komisioneve parlamentare për datën se kur raporti për shkarkimin e Presidentit do të jetë në për votim në Kuvend.