Policia ka vijuar me ndëshkimin e qytetarëve që nuk respektojnë masat anti-Covid në fuqi në Shqipëri.

421 qytetarë janë kapur në 24 orët e fundit pa maska mbrojtësë kurse shtatë të tjerë kanë thyer orën policore.

Nga këta, katër qytetarë janë shoqëruar në Polici pasi nuk pranuan të identifikoheshin para efektivëve.

NJOFTIMI NGA POLICIA

Policia e Shtetit

U konstatuan duke lëvizur pa maskat mbrojtëse, ndëshkohen më masë administrative 421 qytetarë.

Masë administrative edhe për 7 shtetas që u konstatuan duke lëvizur gjatë orarit të ndaluar të lëvizjes.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 421 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 4 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 7 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndalimit të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid.