Gjykata e Tiranës shqyrtoi sot padinë e djalit të ish-Kryministrit, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, kundrejt kreut të grupit parlametnar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Shkëlzen Berisha i është drejtuar me një kërkesë padi, gjykatës së Tiranës ku akuzon për shpifje numrin dy të PS, Taulant Balla. Në padinë e tij djali i ish-kryeministrit kërkon ndaj të paditurit të dëmshpërblejë dëmin jo pasuror të shkaktuar paditësit nga deklarata e tij shpifëse dhe fyese, thuhet në kërkesë padi.

Shkëlzen Berisha i referohet disa postimeve në facebook bërë nga socialisti Balla, si edhe një fjalimi të tij në foltoren e Kuvendit. Lidhur me këto deklarata, për të cilat Berisha pretendon se janë shpifje në adresë të tij, ai kërkon dëmshpërblimin prej 3 milionë lekësh, si edhe përgënjeshtrimin e deklaratave.

Sakaq trupi gjykues vendosi që cështja të shqyrtohet më 14 shtator ora 14:00, ndërsa për djalin e ish kryeministrit, gjykata caktoi ekspertë psikologë për të intervistuar Shkëlzen Berishën, lidhur me dëmet psikologjike të shkaktuara nga këto deklarata.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re