Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar ka qenë plagosja e trefishtë që ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën ‘Ndre Mjeda’ në Tiranë, pas konfliktit mes dy biznesmenëve për pronësinë e një pallati në ndërtim.

Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit kanë mbetur të plagosur dy persona, biznesmeni Sino Llanaj, 42-vjeç, dhe një kalimtar i rastit i identifikuar si Klodjan Gomina. Po ashtu i lënduar ka mbetur roja i objektit në ndërtim, që është dëmtuar nga sende të forta dhe jo nga përdorimi i armës.

Për ngjarjen Policia ka shpallur në kërkim biznesmenin tjetër Albert Allmuça, me të cilin Sino Llanaj është prej disa vitesh duke u përballur dhe në gjykatë, për shkak të një borxhi të papaguar.

Mëngjesin e sotëm, Llanaj së bashku me një grup personash të tjerë shoqërues të tij, kishin mbërritur në hyrjen e pallatit dhe kishin tentuar që të hynin brenda tij, por nuk janë lejuar nga roja, i cili ka mbetur i lënduar.

Pas kësaj ka mbërritur biznesmeni Allmuça, po ashtu i shoqëruar nga persona të tjerë, dhe ka qëlluar me armë në drejtim të Sino Llanajt, ndërsa si pasojë e një plumbi që ka bërë rikoshet, ka mbetur i plagosur dhe kalimtari Gomina.

Llanaj është investitori i parë i pallatit, i cili u ka marrë mijëra euro qytetarëve për shitjen paraprake të banesave, që më pas janë lënë ende pa u pëfunduar nga ana e biznesmenit Allmça. Qytetarët që kanë blerë te ky i fundit kanë hyrë në banesat e tyre të cilat janë të përfunduara.

Llanaj dhe Allmuça janë në një proces gjyqësor që prej vitit 2019, ndërsa Gjykata ka vendosur që afati i punimeve të shtyhet deri në vitin 2022, edhe pse afati në kontratat e firmosura me qytetarët, ka qenë viti 2019.

Në deklarimet e tyre për Fax News, të shtunën, banorët u shprehën se kërkonin që ti përfundonin vetë punimet në apartamente, po Albert Allmuça i pengonte hyrjen për shkak të konfliktit që kishte me Llanajn.

Të shtunën, edhe pse Policia ishte e pranishme, biznesmeni Llanaj mbeti i lënduar pas konfliktit fizik, ndërkohë që autorët, pavarësisht se e gjitha ngjarja u zhvillua në praninë e mediave, gjetën guximin që edhe sot të ngrinin armën dhe të qëllonin.

Pamjet e mëposhtme i përkasin ditës së shtunë, ku Llanaj mbeti i lënduar, dhe më pas u dërgua për trajtim në spital:

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re