Lufta në Ukrainë i iniciuar nga agresioni rus ka sjellë jo pak reagime nga personazhe të ndryshëm të jetës publike. Një pjesë kanë dalë në protestë, një pjesë tjetër kanë reaguar në rrjetet sociale, ndërsa kryesisht politika e ka dënuar luftën edhe me një rezolutë në kuvend. I veçantë ka qenë reagimi i shkrimtarit shqiptar, Shpend Topollaj, fitues i çmimit “Aleksandër Pushkin” që ka vendosur të kthejë çmimin që i ka dorëzuar ambasadori rus.
“Ceremonia u organizua në sallën e madhe të Muzeut Historik, ku çmimin ma dorëzoi ambasadori i asaj kohe zoti Aleksandër Karpushin, në prezencë të të dërguarit të posaçëm, poetit Vladimir Masallov, sekretar i Përgjithshëm i asaj Lidhje” kujton shkrimtari.
Në një letër publike drejtuar ambasadës ruse, ai thotë se sot ndjehet i turpëruar nga çmimi.
“Zoti ambasador! Duke qenë se jeni përfaqësuesi zyrtar i atij vendi, ku nuk shoh asnjë reagim nga ana e intelektualëve dhe sidomos shkrimtarëve, për të dënuar çmendurinë e qeverisë tuaj, edhe kur popujt po kërcënohen me përdorimin e armëve bërthamore, pra me zhdukjen e njerëzimit, çka më bën të ndihem i turpëruar nga heshtja e tyre miratuese, jam i detyruar t’u bëj me dije se çmimin “Pushkin” që dikur krenohesha, ta kthej mbrapsht. Kjo le të jetë edhe shprehje e solidaritetit me rezistencën e popullit ukrainas dhe masat e përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar. Po ashtu, me këtë gjest mendoj se do të jem më i nderuar si njeri dhe si shkrimtar, pasi e kam të qartë fundin e kësaj aventure kaq të rrezikshme, se fundja do të ndodhë ajo që thoshte Shileri se “Historia botërore është gjyqi botëror” shkruan në letrën e tij, Topollaj.
Si autori i shtatëdhjetë librave, pesë prej të cilave të përkthyera në gjuhën ruse, Topollaj thotë se agresioni rus është i papërligjur dhe vëprimet e ushtrisë ruse i quan “barbare”
“Ju jeni një popull që ndofta më shumë se të tjerët keni vuajtur nga lufta dhe keni bërë sakrifica të panumërta për të mbrojtur atdheun tuaj. Sikur të ngriheshin nga varri dëshmorët tuaj, kam bindjen se do thërrisnin me gjithë forcën e shpirtit të tyre: “Ndaloni, se e keni gabim! Me këto që po bëni, ta dini se historia do të na dënojë. Ju po dëmtoni edhe vetë Rusinë tonë, dhe a nuk u dhimbsen edhe djemtë tanë që po japin jetën për teka diktatorësh. Mos e harroni Hitlerin!”.
Letra e plotë e Topollajt
Zoti MIKHAIL AFANASIEV – Ambasador i Federatës Ruse në Tiranë Mua, shkrimtarit Shpendi Topollaj, autor i shtatëdhjetë librave në të gjitha gjinitë, pesë nga të cilat janë përkthyer dhe botuar në vendin tuaj, vite më pare, nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë më është akorduar çmimi “Pushkin” me motivacionin: “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”.
Ceremonia u organizua në sallën e madhe të Muzeut Historik, ku çmimin ma dorëzoi ambasadori i asaj kohe zoti Aleksandër Karpushin, në prezencë të të dërguarit të posaçëm, poetit Vladimir Masallov, sekretar i Përgjithshëm i asaj Lidhje. Për mua, më shumë se vlerësim, ishte një gëzim, pasi ky nderim vinte nga në shtet i madh, me një trashëgimi të admirueshme kulturore, nga populli i të cilit kishin dalë korifenj të letrave si Tolstoi, Gogoli, Çehovi, Turgenievi, Lermontovi, Esenini, Dostojevski, Shollohovi, Blloku, Pasternaku, Ahmatova, Jevtushenko, Brodskij, Cvetajeva, Sollzhenjicini etj., etj.
Ndihesha krenar dhe botuesit kujdeseshin që ta vendosnin atë në ballinat e librave të mi. Me cilësinë e anëtarit të Kryesisë së LSHA të Shqipërisë dhe atë të kryetarit të kësaj Lidhje në Durrës, por edhe si anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Rusi, kam organizuar dhe zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, një sërë veprimtarish mbresëlënëse kushtuar figurave të shquara dhe ngjarjeve të rëndësishme të historisë së popullit rus, me pjesëmarrjen e ambasadorëve të radhës.
Kisha të drejtë, pasi veprën e pavdekshme të Pushkinit, këtij “bardi shpirtndezur” siç e kishte quajtur Derzhavini, në vendin tonë e njihte i madh e i vogël. Vargjet e tij: “Lirisë i thura himn në shekullin e ashpër”, “Mbi frone dridhuni tiranë/Me shpirtin djallëzor në gji/Dhe ti ngri krye anembanë / Me burrëri, o robëri!” apo “Ne jemi dy zogj, pa liri s`rrojmë dot! / Mbi male, vëlla, të vërsulemi tok,/mbi detet e kaltër, të çlirët si lot. / Ku era dhe unë baresim nga mot!”, mbeten aktuale edhe sot e kësaj dite.
Por, fatkeqësisht, ngjarjet tronditëse të kohëve të fundit, ku ajo ushtria që dikur kishte larë me gjak heronjsh fushat e pafund nga Sheshi i Kuq i Moskës deri në Portat e Brandenburgut në Berlin, kundër hordhive barbare hitleriane, tani iu vërsul me zjarr e me hekur një vendi e populli paqësor, duke vrarë pa dallim në mënyrën më kriminale njerëz të pafajshëm, deri dhe fëmijë. Asnjë arsye nuk i përligj këto veprime barbare, kundër atij vendi që vetëm kolektivizimi stalinist i shkaktoi shtatë milion viktima dhe pushtimi hitlerian gjashtë milionë të tjerë. Kohët moderne kërkojnë sjellje moderne, të mençura, politike e diplomatike, ku mbizotëron logjika se njeriu, pra edhe një i vetëm është boshti i botës siç shprehej A. Çehovi.
Humanisti i Rilindjes evropiane Françesko Petrarka (Francesco Petrarca), qysh në shekullin e katërmbëdhjetë shkruante se “Nuk ka liri më të çmuar se liria e gjykimit. E lakmoj ta kem për veten, por pa ua hequr të tjerëve”. Ju duhet ta dini se edhe në Greqinë e Lashtë, Perëndia e Luftës, Aresi ishte më pak i respektuari. Vetëm romakët agresorë, ata që kërkonin të krijonin perandori, i dhanë atij rëndësi, duke e bërë sheshin e Marsit, vendin ku legjionarët vringëllinin armët para se të nisnin betejat për pushtime.
Dhe ja tani: qeveria juaj si Hermesi mitologjik e zgjoi Perëndinë e Luftës për të sjellë sherre, vrasje e shkatërrime, sikur të mos mjaftonin ato të deritanishmet. Ju jeni një popull që ndofta më shumë se të tjerët keni vuajtur nga lufta dhe keni bërë sakrifica të panumërta për të mbrojtur atdheun tuaj. Sikur të ngriheshin nga varri dëshmorët tuaj, kam bindjen se do thërrisnin me gjithë forcën e shpirtit të tyre: “Ndaloni, se e keni gabim! Me këto që po bëni, ta dini se historia do të na dënojë. Ju po dëmtoni edhe vetë Rusinë tonë, dhe a nuk u dhimbsen edhe djemtë tanë që po japin jetën për teka diktatorësh. Mos e harroni Hitlerin!”.
Zoti ambasador! Duke qenë se jeni përfaqësuesi zyrtar i atij vendi, ku nuk shoh asnjë reagim nga ana e intelektualëve dhe sidomos shkrimtarëve, për të dënuar çmendurinë e qeverisë tuaj, edhe kur popujt po kërcënohen me përdorimin e armëve bërthamore, pra me zhdukjen e njerëzimit, çka më bën të ndihem i turpëruar nga heshtja e tyre miratuese, jam i detyruar t’u bëj me dije se çmimin “Pushkin” që dikur krenohesha, ta kthej mbrapsht. Kjo le të jetë edhe shprehje e solidaritetit me rezistencën e popullit ukrainas dhe masat e përbashkëta të komunitetit ndërkombëtar. Po ashtu, me këtë gjest mendoj se do të jem më i nderuar si njeri dhe si shkrimtar, pasi e kam të qartë fundin e kësaj aventure kaq të rrezikshme, se fundja do të ndodhë ajo që thoshte Shileri se “Historia botërore është gjyqi botëror”.
Kush është Shpend Topollaj:
Shpend Topollaj, autor i shumë veprave letrare, zhanresh të ndryshme, prej shumë vitesh me një zell, përkushtim e pasion të rrallëhasur, lëvron prozën e shkurtër, poezinë, dramën, esenë, kritikën letrare, reportazhin e gjithçka tjetër, (Kopi Kyçyku).
Ai është lindur në Berat më 14 shkurt 1947, pra në ditën e shenjtë të “Shën Valentinit”. Fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Shkodër, që është djepi i kulturës shqiptare dhe më pas në Tiranë, ndërsa tash , sipas shënimeve që jep te vepra: “Dantja…E të tjerë”, (fq. 241), jeton në Durrës, prej shumë vitesh. Ka ushtruar një varg detyrash me shumë sukses dhe përkushtim. Ka qenë i ndëshkuar, me pretekst se kishte lexuar një libër me kritika letrare të Rexhep Qoses. Vlerësohet lart si intelektual, si shkrimtar, si njeri i kulturuar, si njeri i guximshëm, si njeri i ndershëm dhe me shpirt krijues.
Disa nga krijimet e tij:
– Lirikat e Zemrës – poezi (përkthyer në italisht) 1996
– Gjithë dashuritë e mia – poezi 1996
– Akropol për të gjithë – poezi (përkthyer në greqisht) 2000
– Biri i Golëmit, Adem Meta – roman 2015
– Urat e librave – kritika letrare 2017
– Purgatori i librave – kritika letrare 2018
– Flas për ju – kritika letrare 2019
– Flas për ju – kritika letrare 2019
– Esse rreth shprehjeve mitologjike 2019
– Dantja… e të tjerë – kritika letrare 2020
…
/faxweb
