Nga Nensi Bogdani

Dëshmitë e pacientëve dhe të familjarëve të tyre të mbledhura nga shoqata “Together for Live” tregojnë se me mijëra familje po humbasin kursimet apo po hyjnë në borxhe për të përballuar mungesën e të ardhurave dhe koston e kujdesit shëndetësor nga sëmundja COVID-19.

Mijëra familje shqiptare po vuajnë jo vetëm nga sëmundja COVID-19, e cila ka sakatuar ekonominë dhe ka shkaktuar deri më sot së paku 1681 të vdekur, por edhe nga shpenzimet e konsiderueshme të lidhura me blerjen e pajimeve farmaceutike apo për kryerjen e analizave, të cilat në përgjithësi kryhen në sektorin privat.

Shoqata “Together for Life”, një organizatë shqiptare kreu disa dhjetëra intervista me familje të personave të prekur nga sëmundja dhe zbuloi se kostot e mëdha të lidhura me kurimin rëndojnë buxhetet e një pjese të madhe të familjeve.

Raporti vëren gjithashtu se sistemi aktual i qeverisë për rimbursimin e ilaçeve të të sëmurëve me COVID-19 është i pamjaftueshëm dhe i cunguar.

Sipas raportit, vendimi i qeverisë për rimbursimin e shpenzimeve të të sëmurëve “nuk përfshin në rimbursim analizat laboratorike dhe ekzamimet imazherike për diagnostikim dhe monitorim të ecurisë klinike të pacientit.”

Kostoja më e lartë duket se lidhet me nevojën për të kryer analiza të shumta, që të gjitha të kryera nëpër qendra diagnostikimi private ku analizat më bazë për trajtimin e sëmundjes mund të kushtojnë sa një rogë mujore.

“Kostot e diagnostikimit, në rastet kur nuk bëhen nga sektori publik, arrijnë në 35-70 mijë lekë të reja me një mesatare prej 41 mijë lekësh,” vëren raporti.

Raporti vëren se numri i testimeve nga sektori publik në Shqipëri është i ulët se se shpesh qytetarët i drejtohen sektorit privat për të kryer testimin për konfirmim diagnoze pasi janë të sëmurë, me një kosto që në kohën e studimit kushtonte 12 mijë lekë.

Shqipëria autorizoi laboratorët privatë gushtin e kaluar të kryejnë testime për qëllime administrative, pra për rastet kur qytetarët duan të udhëtojnë dhe në kufi u kërkohet një test negativ. Por në shumë raste testimet në sektorin privat po paguhen nga qytetarët jo aq shumë për efekt dokumentesh udhëtimi se sa si pasojë e testimeve të pakta të sektorit publik.

Përveç konfirmimit të diagnozës, qytetarëve u kërkohet të kryejnë analiza të ndryshme për të parë parametrat shëndetësorë, përfshirë analiza të njohura si D-Dimer, PCR etj., të cilat kushtojnë sëbashku rreth 11 mijë lekë. Për më tepër ka shumë raste kur qytetarët duhet t’i nënshtrohen diagnostikimit me skaner, i cili kushton 15 deri në 25 mijë lekë.

Arsyeja kryesore e kryerjes së analizave në sektorin privat është aksesi i ulët dhe koha e gjatë e pritjes për kryerjen e analizave më sektorin publik.

“Që të kryesh një analize gjaku specifike në poliklinikat e Tiranës sipas sistemit të referimit dhe të rezervimit, duhet të presësh një muaj. Të kryesh një skaner -CT duhet të presësh më gjatë. Kështu që pacientët janë të detyruar të kryejnë këto ekzaminime në institucionet shëndetësore private,” shkruhet në raport.

Në Shqipëri aktualisht është zhvilluar një treg i konsiderueshëm pajisjesh mjekësore si dhe shërbimesh në shtëpi për të sëmurët me COVID-19. Shqipëria ka një nga normat më të ulëta të hospitalizimit, gjë që sugjeron se një pjesë e mirë e shqiptarëve zgjedhin të kurohen në shtëpi.

“Sipas statistikave botërore, 10% e personave të prekur me Covid kanë nevojë për kujdes spitalor,” vëren raporti duke nënvijëzuar se norma e hospitalizimit në Shqipëri është vetëm 3 për qind, gjë që sugjeron se një numër i konsiderueshëm të sëmurësh qëndrojnë në shtëpi edhe kur duhet në fakt të shtrohen në spital.

Kostot e trajtimit janë veçanërisht më të rënda për të sëmurët nga rrethet pasi menaxhimi i pandemisë në Shqipëri u krye në spitale të pozicionuara në Tiranë.

Një pjesë jo e vogël e të sëmurëve që trajtohen në shtëpi kanë nevojë jo vetëm për ilaçe por edhe për shërbime infermierike si dhe për shërbime të furnizimit të të sëmurit me oksigjen, për të cilat është krijuar një treg privat.

“Një bombolë 8-litroshe oksigjeni kushton 13,000 lekë. Kosto e shërbimit të infermierit në Tiranë ka shkuar deri në 10,000 lekë në ditë. Në rastet kur infektohet e gjithë̈ familja, kostot shumëfishohen. Për 4 anëtarë duhet të kesh mënjanë rreth 800 mijë lekë për të përballuar trajnimin kundra infektimit me COVID-19”, citojnë gjetjet e raportit mbi barrën e rëndë financiare që kanë të infektuarit me COVID.

Deri në 22 shkurt 2021, 101 mijë shqiptarë ose më shumë se 3.5% e popullsisë janë sëmurë nga COVID-19.

Për më tepër, sipas dëshmive të shumë qytetarëve, ka pasur raste që Shërbimi Kombëtar i Urgjencës 127 nuk u është përgjigjur, ose që marrja e tamponit ka vonuar disa ditë, duke u ndikuar kështu edhe në rezultatet përfundimtare.

Duhet theksuar se shumica e pacientëve që ndodhen në stadin e parë, të dytë apo të tretë të infektimit, pasi kryejnë ekzaminimet fillestare, trajtohen më pas në kushte shtëpie, ku shpeshherë bëhen shkak edhe për infektimin e pjesëtareve të tjerë të familjes.

“Trajtimi në shtëpi, duke blerë barnat dhe çdo nevojë tjetër si puls-oksimetër, oksigjeno-terapi, e të tjera, po u kushton pacientëve dhe familjeve shqiptare pothuajse të ardhurat mujore vetëm të një jave për një pacient, duke i vënë seriozisht në vështirësi financiare”, përfundon raporti duke vënë sërish theksin në pasojat e keqmenaxhimit të fondeve publike shëndetësore.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re