Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka kujtuar edhe njëherë rregullat në vend, pas shpërthimit të koronavirusit.
Manastrilu bëri me dije se do vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet, karantinimi i detyruar i personave me Covid-19 dhe do të vijojnë të jenë në fuqi të gjitha masat për frenimin e këtij infeksioni.
“Sikurse jeni në dijeni, situata epidemiologjike në vend ka pasur një trend në rritje gjatë javëve së fundit sa i përket numrit të shtuar të rasteve pozitive ditore por edhe të shtrimeve në Spitalin Infektiv në QSUT, gjej rastin të apeloj sërish për rritjen e ndërgjegjësimit të çdonjërit prej jush, mbajtjen e rregullave të distancimit social, vendosjen e maskave aty ku duhet dhe ruajtjen e higjienës personale.
Janë armët e vetme që kemi, për të shmangur përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm që është ende prezent. S’duhet ta lejojmë këtë virus të na infektoje, të infektojë të afërmit tanë, fëmijët e prindrit tane. Nëse në fazën e parë, me masat e shpejta ja dolëm me sukses ta zbusim kurbën e infektimit dhe të mbronim sistemin shëndetesor nga mbingarkesa, duhet të veprojmë po me kaq kujdes dhe vetëdije të lartë dhe në këtë fazë të dytë”, tha Manastirliu.
Gjithashtu ajo njoftoi se po përgatiten për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin në rritje .
“Me plotësimin e kapaciteteve në Spitalin Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin në rritje dhe jemi duke rekrutuar stafin mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital.
Paralelisht nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive do të rihapim Spitalin COVID 2, pra ish-Sanatoriumin, dhe në skenarin tjetër, në rast se shifrat kapërcejnë këto kapacitete do të kalohet tek spitali karantinë COVID4 në aksin Tiranë-Durrës.
Jemi duke u përgatitur për disa skenarë sipas planit të veprimit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Po sërish çdo qytetar është i lutur të mbrojë sistemin shëndetësor, të mos e vërë në sprovë”, deklaroi ministrja.
/shqip
