Subscribe

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka ka përshëndetur fillimin e mandatit 2-vjeçar të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

 

Teksa uroi një vit të mbarë, Ministrja u shpreh se për Shqipërinë ky mandat është një përgjegjësi, por edhe një mundësi e madhe për vendin tonë për të lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

 

“Kjo ditë e parë e vitit të ri vjen për shqiptarët me një lajm vërtet të mirë. Sot, Shqipëria fillon mandatin e saj dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Që sot ekipi ynë i diplomatëve në Nju Jork do të ketë të drejtën të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit si një anëtar jo permanent, do të ketë të drejtën të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë për adresimin e çështjeve më të nxehta të sigurisë në botë. Do të ketë privilegjin të influencojë me forcën e ideve dhe eksperiencës sonë diskutimet mbi kërcënimet më të mprehta që rrezikojnë sot paqen e stabilitetin. Ky mandat nuk është një dhuratë që i ra Shqipërisë nga qielli. Një mandat në Këshillin e Sigurimit është diçka për të cilën vendet lobojnë e investojnë për vite e dekada. Të cilin mund ta fitosh vetëm nëse arrin të bindësh pjesën dërrmuese të vendeve të botës që je shtet vend serioz, që ke një diplomaci profesioniste e të besueshme, që ke diçka me vlerë për të kontribuar në diskutimet e mëdha globale. Prandaj sot, duhet të ndihemi të gjithë krenarë për diplomacinë shqiptare e për atë që ka arritur. Duhet të jemi po ashtu krenarë për faktin që sot Shqipëria shihet nga mbarë bota si një aktor serioz e i matur, me një politikë të qëndrueshme e të besueshme, një kontribues serioz në çështjet e sigurisë e paqes. Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshkasë drejt destabilizimit e tensioneve. Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë. Shumë vjet më parë, kur u mor për herë të parë vendimi për të filluar procesin e lobimit për një vend në Këshillin e Sigurimit, gjithçka dukej si një ëndërr e pamundur. E çmendur madje. Por ja ku jemi sot dhe ajo që dukej e pamundur sot është realitet”, tha Xhaçka.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re