Reshjet e dëborës që kanë pushtuar vendin gjatë orëve të fundit, kanë sjellë problematika të mëdha në disa qarqe. Vështirësitë janë shënuar në Lezhë, sidomos në aksin  Lezhë-Milot duke bërë që dhjetëra qytetarë të kalojnë natën në makinat e tyre, pasi kanë mbetur të bllokuar për shkak të stuhisë së dëborës. Ndërkohë pas disa orësh, ky aks rrugor është hapur me vështirësi dhe është bërë i mundur kalimi i mjeteve.

Në qarkun e Dibrës, rruga Peshkopi-Tiranë është e kalueshme vetëm me zinxhir dhe në disa pjesë të saj ka vështirësi për shkak të ngricave. Më problematike në këtë qark paraqitet në Qafën e Buallit për shkak të erërave të fuqishme  që bllokon herë pas here këtë segment.

Edhe në Kukës situata paraqitet e vështirë. Dëbora ka mbuluar qytetin duke e bërë shumë të vështirë qarkullimin e mjeteve. Rrugët nacionale janë të kalueshme, por pajisja me zinxhirë është e domosdoshme. Rruga e Kombit edhe pse është pushtuar nga dëbora po pastrohet nga borëpastrueset që po bëjnë dhe kriposjen e saj.

Ndryshe nga vendet e tjera, zona e Nënshkodrës vijon të jetë e mbuluar nga uji. Gjatë kësaj të diele raportohet se janë 5370 hektar nën pushtetin e ujit. 13 banesa janë të përmbytura në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, ndërsa dhjetëra të tjera janë të rrethuara nga uji. Probleme me përmbytjet ka edhe në brendësi të qytetit të Shkodrës. Raportohet për prezencë uji në rreth 200 shtëpi në periferi, në zonën e Livadheve. Po ashtu në Ajasëm 2 familje kane raportuar për prezencë uji në banesa ndërsa 8 të tjera në oborre.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re