Emisioni “Në Shënjestër” është fokusuar tek shërbimet që kryejnë koncesionet, që duket se janë larg standardeve të parave që thithin nga arka e shtetit. Gazetarja Klodiana Lala në emisionin e sotëm ka sjellë fakte se si është abuzuar me qendrën e sterilizimit, të cilën shteti ia fali koncensionarit.

Ajo që del gjatë hetimeve është edhe një aspekt i errët, që nuk duhet të ishte anashkaluar gjatë procesit të shqyrtimit të dosjes së sterilizimit. Fakti që Qendra e Sterilizimit në QSUT e inauguruar prej 8 vitesh nuk ishte vënë asnjëherë në punë. Përse nuk ishte vënë kurrë në punë, aludimet mund të jenë për një skenar më prapavijë të qartë. Ndoshta edhe për të lehtësuar dhe shpejtuar procedurat e një koncesioni të tillë. Anëtarët e komisionit thonë se arsyeja e vetme, që qendra nuk u vu në funksion, ishte se mungonin specialistët e fushës.

“Qendra e Sterilizimit e cila gjendet në QSUT, është inauguruar prej rreth 8 vitesh, por nuk është vënë në punë. Mosvënia në punë e saj mendoj se ka qenë e pamundur edhe për mungesë të theksuar profesionistësh në këtë fushë”, tha Klodian Rjepaj, kryetar i Komisionit të Sterilizimit, ish-zv.ministër i Shëndetësisë

“Mesa jam e informuar Qendra e Sterilizimit është ngritur prej vitesh, por nuk është vënë asnjëherë në punë. Këtë problematikë do ta zgjidhë koncesionari. Gjithashtu ka rezultuar se kjo qendër nuk është vënë në punë në gjithë këto vite. Kjo për një sërë faktorësh. Së dyti kjo nuk ka qenë prioritet”, tha më tej Naile Abazi, anëtare e Komisionit.

Për ekspertin e ekonomisë, Pano Soko, mosvënia në punë e Qendrës së Sterilizimit, është thjesht një akt sabotimi. Por ajo që ishte edhe më e rëndë është fakti sipas tij që kjo qendër iu dha falas koncesionarit, pavarësisht se ishte shteti ai që kishte marrë kredi për ta ngritur.

“Shiko kush ishte problemi i qendrës për sterilizimin, e dini që iu dha falas koncesionarit. Ne e ndërtuam, morëm një kredi për ta ndërtuar, nuk e vumë asnjë ditë në punë dhe në momentin që lidhëm koncesionin ne përveçse caktuam tarifat e të gjitha i dhamë falas edhe qendrën e sterilizmit, pa asnjë lekë, 0 lekë që ai të mos bënte asnjë investim, ta kishte investimin gati, lekët i ka gati, të gjitha gati… Por ndërsa kryetari i komisionit të ‘Sterilizimit’ ka deklaruar në Prokurori se i gjithë risku do të merrej përsipër nga koncesionari, duket se në realitet gjithçka ka shkuar ndryshe. Dhe për këtë mjafton të shikosh fondet shtesë që alokon Ministria e Shëndetësisë për koncesionarin çdo vit”, tha Panajot Soko.

Nga ana e tij kryetari i Komisionit të Sterilizimit Klodian Rrjepaj tha se modeli i koncesionit PPP u zgjodh pas analizës së bërë në studimin e fizibilitetit.

“Modeli i koncesionit PPP u zgjodh pas analizës së bërë në studimin e fizibilitetit. Krahasuesi i sektorit publik me atë privat tregon që është më e favorshme skema PPP për shkak të investimit fillestar të madh që nuk përballohet dot nga shteti, si dhe për shkak të marrjes së riskut tërësisht nga privati. Nëse do të përzgjidhej procedura e prokurimit publik do gjendeshim para mungesës së fondeve për investim fillestar, i cili kap shifrat afro 11 000 000 eurove. Kjo shumë është gati sa dyfish e gjysmë buxhetit vjetor të ministrisë për investimet. Në bazë të ligjit për prokurimin publik zërat e ndryshëm që paraqiten në këtë projekt do kërkonin procedurë prokurimi më vete. Pra menaxhimi i qendrës më vete, blerja e seteve më vetë, dezinfektim dhe evadimi i mbetjeve më vete etj… Kjo nuk do të garantonte përfundimin në kohë të gjithë këtyre procedurave dhe si rrjedhojë shërbimi i pretenduar nga ana jonë nuk do t’i jepej asnjëherë qytetarëve. I gjithë risku i kësaj ndërmarrje merret nga koncesionari. Kjo sepse pagesa që merr përsipër shteti në këtë kontratë jepet për ndërhyrje, pa marrë parasysh investimin që ka bërë koncesionari. Pra i jepet pagesë vetëm për shërbimin që ofron”, shtoi Panajot Soko.

Por në të vërtetë, me çfarë risqesh është përballur koncesionari?

Panojot Soko: Ky nuk është biznes, jo thjesht nuk është koncesion, jo thjesht nuk është ndarje risku, por kjo nuk është as biznes. Kjo është thjeshtë një transfertë parash. Kur unë të jap lekët, asetet, mjetet, unë të jap të gjitha, të jap dhe paratë në fund, kjo është thjesht transfertë. Ku është risku në këtë mes. Dhe kjo është një çështje që duhet hetuar, dhe kjo është një çështje që duhet trajtuar. E dini cili ka qenë justifikimi që kanë përdorur zyrtarët shqiptarë në çështjen që u hap nga Prokuroria. Ka qenë fakti që qeveria nuk i kishte 11 milion euro në vit për të përballuar rinovimin e të gjithë mjeteve të saj kirugjikale. Ne që s’kishim 11 milion euro në vit, sot paguajmë 17 milion euro.

Por e dyshimtë mbetet në vetvete edhe gara për dhënien e këtij koncesioni.

Ku konkurent i ‘Sani Service’ në këtë tender ka qenë gjithashtu një grup tjetër operatorësh italianë të njohur si ‘S.S.I’, ‘Mario Gugliemo’ dhe ‘Brema Ambiente’, të përfaqësuar nga kompania “Action Laundery” me qendër në Durrës.Të cilët pasi u shpallën humbës, pretenduan se konsorciumi ku Ilir Rrapaj ishte aksioner në shumicë, kishte dhënë një ofertë që e tejkalonte fondin limit.

Për këtë arsye konsorciumi humbës e ankimoi vendimin në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave, të Ministrisë së Shëndetësisë në Komisionin e Prokurimit Publik. Ku Komisioni i Prokurorimit Publik kërkoi rivlerësimin e vendimit fillestar të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, por që ky komision mori një vendim të dytë, duke e shpallur përsëri fitues grupin e kompanive ku përfshihet Investital LLC, të Ilir Rrapaj.

Sipas “Action Laundry” përllogaritet që konsorciumi i udhëhequr nga “Servizi Italia” S.p.a, që u klasifikua i pari, e ofroi shërbimin për 1 vit në vlerën e 1 miliardë lekë, kundrejt ofertës 753 milion lekë të ofruar nga grupi i operatorëve të udhëhequr nga “Action Laundry”, që u rendit e dyta.

Kompania me qendër në Durrës pretendon se diferenca për 1 vit kap vlerën 250 milion lekë, ose për 10 vjet një vlerë prej 2.5 miliardë (17.8 milionë euro). Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë ka mohuar që oferta e konsorciumit ku përfshihej Rrapaj të ishte mbi fondin limit të tenderit duke i cilësuar akuzat si ‘shpifje’.

“Siç e thashë më lartë të gjithë kemi qenë dakord. Procedurat që vijuan kishin të bënin me miratimin e dokumenteve standarde të koncesionit, shpalljen e tyre në gazetat ndërkombëtare etj. Në përfundim është bërë vlerësimi i ofertave të bashkimit të operatorëve. Pranë nesh janë paraqitur dy oferta, të cilat janë shqyrtuar nga ana jonë. Në përfundim të mbledhjes së pikëve fituesi ka dalë me një diferencë të madhe pikësh nga vendi i dytë. Mund të konfirmoj që investimet kapitale që parashikohen në këtë kontratë janë sa dy vite investimesh për Ministrinë e Shëndetësisë, për investimin me financim të brendshëm. Nëse do përdorej prokurimi i zakonshëm do bëheshin prokurime të veçanta për çdo shërbim. Kjo do të sillte një zgjatje në kohë, cilësi jo të garantuar dhe mungesa ose dështimi për një element të caktuar, mund të sillte infektivitetin e këtij procesi. Edhe pse kanë kaluar dy vite nga hapja e dosjes së sterilizimit, SPAK ende nuk ka dalë me rezultatet konkrete të hetimit. Burime të besuara thonë se hetimet janë duke vijuar dhe janë zbuluar shkelje të rënda. Veç të tjerash flitet edhe për një skemë pastrimi parash, për të cilën SPAK do të duhet të japë një përgjigje. Por derisa kjo të ndodhë, ‘sterilizimi’ vazhdon të gllabërojë miliona euro nga buxheti i shtetit. Të paktën deri në vitin 2025 kur përfundon kontrata me koncesionarin. Ku duhet të vazhdojmë ende të llogarisim dëmin në buxhet”, tha Saimir Kadiu, anëtar i Komisionit.

“20 mijë euro bën një autoklavë e re, patjetër, a duhej rinovuar gjithë flota e autoklavave , patjetër nuk diskutohet, por nuk kishe pse të lije peng miliona euro të buxhetit të shtetit ku mund ta kishe zgjidhur shumë mirë brenda përbrenda me procedura të tjera. Nuk e kuptoj se kush ka qenë ngërçi që e ka detyruar SPAK-un të zgjasë kaq shumë. Natyrisht që do duhej që të ecte përpara pasi evidence, fakti është i qartë, të paktën në keqmenaxhimin e fondeve publike. Është bërë pa garë, është bërë me ofertë të pakërkuar dhe mungesa e garës ka sjellë faktin që është shpenzuar pa ekonomicitet siç kërkon ligji. Unë nuk dua të besoj se kjo do të vazhdojë, do të jetë e njëjta histori sepse besoj se SPAK-u ka shërbyer për të rinovuar Prokurorinë e vjetër e cila i mbyllte çështjet”, tha nga ana tjetër Panajot Soko.

Marrë nga Ballkanweb

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re