Të gjithë ata që e urrejnë motin e ftohtë, duhet të shtrëngojnë dhëmbët edhe në katër ditët e ardhshme, pasi temperaturat do të vijojnë të jenë mjaft të ulëta, e ku gjatë ditë së nesërme pritet të arrijnë një rekord, deri në -14 gradë celsius.

Në një lidhje skype me Fax news meterologu Hakil Osmani u shpreh se moti i ftohtë do të vijojë të paktën deri në të mërkurën e ardhshme, ku do të kemi një rritje të lehtë të temperaturave dhe nga fundjava mundësi dhe të rikthimit të reshjeve.

Osmani tha se shirat që pritet të bjenë parashikohen të jenë me intesitet të mesëm, dhe nuk do të sjellin përmbytje si ato të javës që lamë pas.

“Fundjava do të jetë me mot të kthjellët por të ftohtë, ku temperaturat në disa zona mund të zbresin deri në -14 gradë celsius. Vlerat minimale në të gjithë vendin do të jenë negative, duke bërë që të kemi prezencë të ngricave në orët e mëngjesit ne akset rrugore. 

Në zonat malore temperaturat maksimale do të jenë në minus, ndërsa në ultësirën perëndimore do të jenë deri në 6 apo 7 gradë celsius. Të njëjtat kushte atmosferike do të jenë edhe përgjatë dy ditëve të para të javës së ardhshme, ndërkohë që të mërkurën do të nisë një rritje e lehtë e temperaturave me disa gradë celsius.

Ndryshimi më i madh pritet që të ndodhë të enjten, ku temperaturat do të jenë mesatare për muajin Janar. Nga e premtja dhe në vijim do të kemi temperatura minimale nga -3 deri në 3 katër gradë, ndërsa rritja më e ndjeshme do të jetë në temperaturat maksimale që do të arrijnë deri në 11 grace celsius në zonat perëndimore.

Mbetemi me mot të kthjellët, ndërkohë që nga fundi i javës së ardhshme, do të ketë rikthim të reshjeve të shiut. Prezenca e reshjeve të shiut, do të jetë aktive gjatë gjithë dhjetë ditëve të fundit të muajit Janar”, u shpreh Osmani.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re