Shefja e sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino, tha në emisionin Opinion se edhe personat që e kanë kaluar rishtaz Covid 19 duhet të vaksinohen. Sipas saj antitrupat nuk zgjasin më shumë se 3 muaj, në një kohë kur të gjitha studimet thonë se imuniteti pasi ke kaluar për herë të parë Covid zgjat të paktën deri në 8 muaj.

“Vaksina bëhet edhe kur e ke kaluar Covid-in. Jo nuk dendesh me antitrupa, është koncept i gabuar. Vaksina përkundrazi nuk shkakton asnjë lloj problemi, tek personat që e kanë kaluar Covid-in. Shumë persona që kanë kaluar Covid-in nuk kanë nivel të konsiderueshëm antikorpesh. 

Nga ana tjetër, ne nuk e dimë sesa mbrojtës janë këto antitrupa që ne i masim, sa mbrojtës janë realisht për individin, që ne i masim gjatë testimeve serologjike. Shumë njerëz bëjnë testime serologjike për të parë se ku e kanë nivelin e mbrojtjes. Të vetmet rezultate që kemi është që nuk kemi riinfektim brenda 3 muajve që kemi kaluar Covid-in. Kjo është një distancë në të cilën është parë që nuk kemi pasur riinfiktim“, tha Bino.

Ndërkohë që në të njëjtin emisionin, eksperti shqiptar në SHBA Arban Domi mendon ndryshe nga Bino. Domi shprehet se një person që e ka kaluar virusin ka imunitet edhe pas 8 muajsh, për këtë arsye ai thotë se nuk është e nevojshme bërja e vaksinës. Madje ai shprehet se në kushtet kur numrat e vaksinës janë të kufizuara, nuk është etike dhe as morale që dikush ta bëjë atë.

Herën e fundit që ju kam pyetur keni thënë se ata që e kanë kaluar Covid-in është mirë që të mos e bëjnë vaksinën. I qëndroni kësaj ideje?

“Le ta sqarojmë me saktësi për publikun. Ai që e ka kaluar Covidin nuk është e nevojshme ta bëjë. Herën e fundit që kemi biseduar, nuk kishim shumë të dhëna dhe mendoja se do ishte 3 deri në 6 muaj minimumi, pasi e ka kaluar. Ka kaluar disa kohë nga biseda e fundit që kemi pasur dhe të dhënat e fundit, të jo më shumë se 1 apo 2 javë me parë, kanë treguar që edhe pas 8 muajsh sistemi i imunitar mbrojtës është i nivelit teorikisht të mjaftueshëm”.

Sipas mjekut, “prova më e madhe, që është shumë domethënëse, është që të infektuar në botë janë rreth 10 milion. Riinfektimet janë me gishtat e dorë dhe ky është testi klinik më i mirë për të thënë që ata që janë infektuar nuk riinfektohen. Por nuk ka asnjë gjë të keqe për ta ribërë”.

Domi thotë që nuk ka komplikacion nëse dikush që e ka kaluar Covid e bën vaksinën, por sipas tij ajo nuk është e nevojshme.

“Në kushtet aktuale kur numrat janë shumë të kufizuar, për mua është një humbje e dozës që ta bëjë dikush që e ka kaluar. Edhe nga ana etike dhe nga ana morale nuk është e nevojshme…”

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re