Drejtori i Kabinetit të Presidentit, Edmond Paraniti ka qenë i ftuar mëngjesin e sotëm në RTV Ora në emisionin “Ditë e Re”, ku ka folur për menaxhimin e situatës në vend për shkak të përmbytjeve.

Panariti ka thënë se deri më tani është ndërmarrë një punë për të kapërcyer përmbytjen, por jo për ta eliminuar atë para se të ndodhë. Sipas tij, të ndërhyrjet atje duhet të jenë të mirëmenduara.

“Nuk është një surprizë kjo që po ndodh. Është një fenomen që e përjetojmë çdo vit në mënyrë ciklike dhe ndërhyrja jonë është ndërhyrje reaktive. Një ndërhyrje për ta kapërcyer, por jo për ta korrigjuar.

Kjo është diferenca mes një ndërhyrje që e sistemon këtë problem në mënyrë definitive, zbut në maksimum dhe eliminon pasojat e përmbytjeve dhe ndërhyrje reaktive që janë këto që shikoni sot, kur ndodh përmbytja, bëhen dëmet, spostohen njerëzit, evakuohen ata, dëmtohen shtëpitë dhe pastaj ndërhyjnë forcat e emergjencave.

Këto janë situata si puna e aspirinës që heq dhimbjen, por nuk shëron sëmundjen. Shërimi i sëmundjes është një proces më kompleks se sa thjeshtë ndërhyrja dhe kërkon një ndërhyrje tërësore.

Zonat kryesore si ajo e ultësirës shkodrane dhe Lezha, janë zona që përgjithësisht një pjesë e madhe e tyre janë zona nën nivelin e detit, pra janë më shumë në rrezik të përmbyten. Njëkohësisht janë zona të hidrocentraleve, ku kemi grumbullime të mëdha të ujërave në basenet e hidrocentraleve, të cilat kur ndodhin shira dhe stuhi, tejmbushjen dhe duhet të shkarkohen.

Pra përveç sasisë së shiut të zakonshëm, ne kemi dhe shkarkime të detyrueshme që vijnë nga hidrocentralet. Llogaritur edhe faktin që kjo është zonë nën nivelin e detit, si e lugët dhe këto janë faktorët. Të gjitha ndërhyrjet atje duhet të jenë të mirëmenduara, të sistemuara, që nuk kanë të bëjnë vetëm me ndërhyrje të emergjencës, por edhe me ndërhyrje sistemuese.

Në radhë të parë menaxhimi duhet të ndryshojë. U bë një gabim i madh që në kohën kur unë kam qenë ministër i Bujqësisë, pavarësisht se e kundërshtuam, nuk arritëm të ndalojmë një filozofi sunduese që sistemi të decentralizohet. Praktikisht sistemi ka qenë njësh, sepse edhe fenomeni është njësh.

Përmbytja zë të gjitha zonat në mënyrë të njëtrajtshme. Sistemi i kullimit ka qenë i integruar në varësinë e Ministrisë së Bujqësisë dhe administrimit të ujërave. I gjithë sistemi duhet të ishte integral”, u shpreh Panariti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re