Kryeministri Edi Rama ka reaguar për skandalin korruptiv tek spitali “Shefqet Ndroqi”, i njohur ndryshe si Covid 2, ku një sanitare u hoq si infermiere dhe i zhvati 8 milionë lekë vajzës së një pacienteje të infektuar, e cila ndërroi jetë.

Në emisionin “Open”, Rama iu bën thirrje të gjithë personave që kanë përjetuar ngjarje të ngashme të drejtohen në emisione investigative dhe të mos i besojnë personave të panjohur pa bërë verifikimet e nevojshme.

Edi Rama: Unë realisht jam ndjerë mirë në atë sekëlldinë e madhe për faktin që një personazh kaq i pështirë u demaskua dhe sot është prapa hekurave, ndaj dua ti shpreh gjithë respektin gazetarëve që nuk dhanë opinione kafeneje. Me siguri ka edhe të tjerë që i ngjajnë, në sistemin tonë shëndetësor nuk e baltos dot uniformën e infermierën.

Dua ti them të gjithë qytetarëve që nëse nuk doni të denonconi e të dilni hapur në prokurori e polici dhe në platformën “Shqipëria që duam”, përdorini sa të mundeni emisionet investigative, drejtohuni sa të mundeni që të nxirrni të gjitha këto tumore që në organizmin e sistemit tonë shëndetësor krijojnë të tilla situata që vendosin në kolaps marrëdhënien e njeriut me sistemin dhe shfrytëzojnë edhe panikun, edhe ankthin, edhe pasigurinë e familjarit, por edhe një lloj mendjelehtësie. Si mund ti besosh një infermiereje pa bërë minimumi verifikimin se me kë po flet.

Ajo që është pozitive është se në emisionin investigativ kemi të bëjmë me një mashtrim klasik të një niveli të hatashëm dhe personi është prapa hekurave menjëherë. Realisht është lajm i mirë që mediat të ekspozojnë të tilla shëmbëlltyra. Është absolutisht e domosdoshme që ta bëjmë së bashku. Nuk mund ta bëjë këtë gjë vetëm qeveria e vetëm media. Kur kanë problem, ti drejtohen emisioneve investigative.

(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re