Gjykata e Strasburgut ka dhënë një vendim me rëndësi të posaçme. Bëhet fjalë për një nga ankesat e para që është shqyrtuar ku Altina Xhoxhaj kërkonte rikthim në detyrë pas shkarkimit nga Vettingut. Ndërkohë që Strasburgu i hodhi poshtë me rezultatet 5 me 2 dhe 6 me 1 kërksat e gjyqtares në fjalë.

Në thelb, bëhej fjalë nëse do të vihej në dyshim e gjithë reforma në drejtësi. Por çfarë mendon kreu i Komisionit të Ligjeve mbi rastin në fjalë? Për “Java në RTSH” Ulsi Manja tha këtë të premte se në procesin e Strasburgut Bashkimi Evropian ishte palë me Shqipërinë.

“Vendimi i Strasburgut konfirmoi kushtetutshmërinë e procesit të Vettingut në Shqipëri. Për çfarë u shkua në Strasburg në fund të fundit dhe a përbën precedent për të gjithë të larguarit nga Vettingu? Vendimi ishtë një vendim që i referohej nenit 6 dhe 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Pra të drejtës për një proces të rregullt gjyqësor. Dhe çfarë tha Strasburgu? Atë që kemi thënë ne që në ditën e parë, gjykimi nga një organ i paanshëm dhe i pavarur.

Pra procesi i Vettingut është konform nenit 6. Sepse organet e Vettingut janë organe të krijuara me ligj dhe që kanë referencë në Kushtetutë. Po ashtu, neni 8 ka të bëjë me respektimin e të drejtës private. Edhe këtu Strasburgu e ka gjetur në përputhje me ligjet pasi nuk ishte cenuar e drejta e subjektit” – tha Manja për ‘Java në RTSH’.

Ai shtoi se për raste të ngjashme Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka krijuar një vendim standard unifikues.

Sa i përket reformës në Drejtësi ai u shpreh se merita është në faktin se qysh në fillim u konceptua si reformë kushtetuese.

“Mua më vjen mirë që Strasburgu e konfirmoi ligjshmërinë e këtij procesi sepse do të ishte nje goditje për Vettingun. Ka disa shtete të tjera që kanë tentuar ta adaptojnë shembullin e reformës në Shqipëri, por nuk kanë arritur të ndryshojnë dot kushtetutat e tyre” – tha deputeti socialist. Manja u zbuloi se pë rastin në fjalë shteti shqiptar nuk ishte vetëm, por pati në krah Bashkimin Evropian.

“Në dijeninë time, palë e interesuar në këtë proces në gjykatën e Strasburgut ka qenë edhe Bashkimi Evropian me shtetin shqiptar. Le të themi se kemi qenë edhe bashkautorët e reformës në drejtësi. E kemi thënë në këtë studio se nëse nuk do të ishin SHBA dhe BE ne nuk do të kishim këtë reformë. Madje edhe SPAK dhe BKH janë plotësisht nënë asistencën e partnerëve perëndimorë” – tha Manja për ‘Java në RTSH’ të premten mbrëma.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re