Bora Mema ishte tashmë një studente aktiviste në dhjetor 2018, kur Fakulteti i Arkitekturës në universitetin shtetëror në Tiranë njoftoi se do të aplikonte një tarifë shtesë për provimet e mbartura. Por edhe ajo vetë u trondit nga forca e revoltës studentore që pasoi këtë.
“Në fillim, edhe ne vetë, nuk mund të parashikonim se ajo do të ishte aq masive,” tha Mema, 26 vjeçe, për BIRN.
Nëntë muaj pasi protestat masive të studentëve në Shqipëri detyruan një tërheqje të qeverisë dhe një ndryshim të madh të kabinetit, studentët dhe stafi që kthehen për vitin e ri akademik janë ende duke përpunuar impaktin e këtyre protestave.
Demonstratat përfaqësuan një shprehje të rrallë dhe të fuqishme të revoltës demokratike që e vendosi Shqipërinë fort në hartën globale të rebelimeve pa lider.
Megjithatë, disa studentë aktivistë thonë se ata nuk do të ndalen, duke parë në kërkesën për ndryshim në arsim të etur për ndryshime më të gjera shoqërore në Shqipëri dhe në mënyrën se si drejtohet vendi.
“Gjërat nuk do të ndryshojnë brenda natës,” tha Mema, një anëtare e Lëvizjes për Universitetin.
“Kjo nuk ka të bëjë me individët në një lëvizje apo edhe me vetë lëvizjen,” tha ajo për BIRN. “Kjo ka të bëjë me një ide. Ne sot do të vendosim një tullë dhe njerëzit që do të vijnë pas nesh, do të vendosin një tjetër tullë dhe kështu e ndryshon një shoqëri”.
U fitua beteja, jo lufta
Për studentët e irrituar nga cilësia e mësimdhënies në universitetet shtetërore të Shqipërisë, kostoja e shkollimit dhe gjendja e konvikteve të studentëve, shpallja e një rritje në çmimin që studentët duhet të paguajnë për të dhënë provimet e mbartura ishte një rritje e tepërt çmimi.
Zemërimi i publikut me qeverinë e Ramës, e goditur nga një sërë skandalesh dhe e perceptuar si kryesuese e një sistemi ku lidhjet më shumë se merita përcaktojnë suksesin, tashmë kishte filluar të shtohej.
Pas përhapjes së fjalës në rrjetet sociale, mijëra njerëz vërshuan te Ministria e Arsimit në kryeqytet, Tiranë, ndërsa të tjerët dolën në rrugë në qytete si Elbasan, Shkodër dhe Durrësi pas 28 vjetësh dhe fiks në muajin kur protestat e studentëve luajtën një rol të madh në rrëzimin e regjimit të atëhershëm komunist të Shqipërisë në vitin 1990. Ata shmangën çdo strukturë zyrtare drejtuese apo ndërhyrje politike.
Qeveria fillimisht i quajti studentët “ngelësa”, por, i gjendur përpara një proteste në rritje të publikut, Rama shkarkoi gjysmën e kabinetit të tij, përfshirë edhe ministren e arsimit.
Ai pranoi të rriste shpenzimet e qeverisë për arsimin dhe i trajtoi disa nga ankesat e protestuesve me një set masash të quajtur “Pakti për Universitetin”. Ato përfshinin përgjysmimin e tarifave të shkollimit për studentët pasuniversitar dhe rinovimin e konvikteve të shkatërruara.
Por kërkesat e tjera, në lidhje me cilësinë e arsimit dhe përgjegjshmërinë, mbetën pa përgjigje, thonë studentët.
Në fillim të nëj viti të ri akademik, lëvizja mund të ketë fituar një betejë, por lufta për ndryshime reale vazhdon.
Pa udhëheqës
Nga Shqipëria në Hong Kong, lëvizjet pa liderë po shtohen si mjet për të detyruar ndryshimin ndërsa shmangin kanalet politike tradicionale.
Mbështetësit thonë se duke shmangur liderët ata i mbajnë mesazhet e tyre të pastra, të paprekura nga interesi personal apo lidhjet private.
Shpesh të nxitura nga një ligj i vetëm ose çështje periferike, këto lëvizje zgjerohen për të përfshirë koncepte që vënë në dyshim vetë natyrën e sistemit politik të vendit të tyre.
Ashtu si në Shqipëri, uljet e kostove në arsim, jo domosdoshmërish ideologji, ishin shkaktari i protestave studentore kundër presidentit të djathtë brazilian Jair Bolsanaro në maj, ndërsa lëvizja e Afrikës së Jugut Rhodes Duhet të Rrëzohet filloi si një kërkesë për të hequr një statujë të imperialistit britanik Cecil Rhodes, por çoi në thirrje më të gjera për “dekolonizim” të arsimit në Afrikën e Jugut.
Pa një lider, lëvizje të tilla mblodhën së bashku studentë të bindjeve të ndryshme politike.
Në Shqipëri, ato rezistuan për një muaj, duke i dërguar një mesazh pjesës tjetër të shoqërisë “se mund të ankoheni për atë që nuk ju pëlqen”, tha sociologia Alba Çela.
Ndërkohë që nuk bënin thirrje direkt për ndryshime politike, ankesat e tyre – mungesa e transparencës në shpenzime, mungesa e llogaridhënies demokratike, plagjiatura dhe korrupsioni – i bënë jehonë zhgënjimeve të pjesëve të tjera të shoqërisë me mënyrën e funksionimit të shtetit shqiptar dhe demokracisë.
Protestat ishin sidomos të rëndësishme duke pasur parasysh që në Shqipëri, të rinjtë shpesh shihen kryesisht si apatikë.
Perceptimi i pafuqisë sjell pasivitet, tha Geron Kamberi, bashkë-autor i një raporti të viteve 2018-2019 mbi rininë shqiptare nga Fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung.
“Nëse nuk ke besim tek institucionet, s’mund të bësh dot asgjë,” tha ai. “Kështu që nëse ka mosbesim, ka apati. Janë dy gjëra që shkojnë krahë përkrahë.”
Profesori Redi Muçi i Universitetit Politeknik të Tiranë tha se kapaciteti demokratik i Shqipërisë vuante nga fakti se nuk kishte traditë presioni të organizuar për ndryshim jashtë partive politike.
“Qoftë në sindikata, qoftë në universitete apo edhe në vetë komunitet, ka një mungesë totale organizimi,” tha ai për BIRN.
“Përshkallëzim” dhe mosmarrëveshje
Një përpjekje për të gjurmuar origjinat e pasigurta dhe kaotike të protestës me aktivistët në qendrën sociale Organizata Politike – e ndodhur në një ndërtesë të vjetër dy katëshe pranë Sheshit Skëndërbej në Tiranë – tregon se natyra pa lider e protestës ishte organike si edhe pragmatike.
OP, siç njihet gjerësisht, fillimisht nisi Lëvizjen për Universitetin ku, për shembull, Mema është pjesë dhe ka shumë anëtarë studentë.
Por edhe pse grupit nuk i mungonte përgatitja, inkurajimi, sloganet etj, fuqia e protestës së dhjetorit e zuri në befasi edhe atë. Lëvizja për Universitetin kishte organizuar protesta që nga viti 2014 kundër atyre që ajo i etiketoi politika arsimi “neoliberale”, por kishte fituar jo shumë mbështetje mes studentëve.
Megjithatë, kur Fakulteti i Arkitekturës lajmëroi se po planifikonte të rriste tarifat për provimet e mbartura, në faqen në Facebook të Lëvizjes erdhën mesazhe të shumta nga studentë që kërkonin këshilla se si të nisnin një peticion dhe të bojkotonin mësimin.
Mema tha se aktivistët vepruan shpejt për “t’i përshkallëzuar” ngjarjet.
Por pavarësisht të gjitha kopjeve të Chateaubriand, Habermas dhe Weber që gjenden të rreshtuara në muret e librarisë së tyre, aktivistët duken akoma të pasigurt sesi protesta arriti në një shkallë të tillë apo se çfarë saktësisht i motivoi mijëra studentë të braktisnin studimet e tyre.
Studentët kishin një listë të gjatë ankesash – kohë të pamjaftueshme për të fituar jetesën, kushtet të këqija nëpër konvikte, profesorë që dyshoheshin për ryshfet, tekste shkollore plagjiaturë dhe në disa raste të përkthyera në shqip nëpërmjet Google…
Megjithatë, disa nga aktivistët ishin të bindur se problemi kryesor ishte Ligji për Arsimin e Lartë.
“Ligji ka lidhje me çdo problem që ne kemi në fakultet. Ai është burimi i të gjitha problemeve tona,” tha studentja e filozofisë Xheni Hajdari, e cila iu bashkua protestave dhe Lëvizjes për Universitetin ndërsa ishte në vitin e parë të studimeve.
Celdo Brahimaj, një student në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe anëtar i Rezistencës Qytetare, një OJQ me bazë në Tiranë, nuk u pajtua me këtë:
“Në Shqipëri kemi shumë probleme me ngacmimet seksuale në disa universitete, korrupsionin etj. dhe ky ligj nuk mund të ketë impakt në këto probleme,” tha ai.
Ai e cilësoi Lëvizjen për Universitetin si pa kuptim “Marksiste”, por pranoi se të dy grupet kishin të njëjtin qëllim – të përmirësonin gjendjen e arsimit publik.
I pyetur pse zgjodhi të protestojë në dhjetor 2018, 21-vjeçari Irsid Gjondedaj, student për Punë Sociale në Universitetin e Tiranës, u përgjigj:
“Ishte ndjesia që i përkisja universitetit. Pra, si studentë atje, ne duhet të kemi të drejtat tona dhe duhet të luftosh për t’i pasur këto të drejta.”
Gjondedaj, megjithatë, nuk ishte i kënaqur me rezultatin.
“Të padobishme,” tha ai për protestat.
Për të, vendimi i qeverisë për të ulur tarifat e shkollimit për studentët anashkalon faktin që shumica e studentëve gjithashtu ndihen të detyruar të ndjekin një kurs shumë më të shtrenjtë për master.
Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje vendimin për të mos negociuar drejtpërdrejt me Ramën, që në atë kohë u mor si një shprehje logjike e refuzimit të protestuesve për të caktuar një lidership.
“U përpoqa të flisja me disa prej studentëve, duke u thënë se nuk kemi çfarë të humbasim,” kujtoi ai.
“U thashë: ‘Le të përpiqemi të bëjmë diçka ndryshe, le të përpiqemi të diskutojmë me kryeministrin”, por studentët ishin shumë stoikë. Ata nuk donin të merrnin pjesë në këto takime sepse mendonin se do të manipuloheshin nga kryeministri dhe zyrtarët e tij.”
Për Gjondedaj, refuzimi ishte më pak një shenjë force sesa një pasojë e frikës për të qenë bashkëpjesëmarrës politik, një frikë që e ka përshkuar për shumë kohë demokracinë në Shqipëri.
Sindikatat
Duke ecur përpara, aktivistët në Rezistencën Qytetare thanë se arritja më e madhe ishte shtimi i vetëdijes midis studentëve.
“Ne kryesisht mendojmë se përmirësimi i gjërave të vogla çdo ditë është shumë më mirë sesa të keni këto shpërthime,” tha Migen Qiraxhi.
Grupi tha se do të monitorojë zbatimin e masave të qeverisë, por nuk përjashtoi edhe mundësinë e një kompromisi të ardhshëm.
Për shembull, ndërsa studentët fillimisht kërkuan 50 për qind fuqi votimi në emërimet e stafit të lartë të universitetit, nga 10 për qind që është tani, Brahimaj i Rezistencës Qytetare tha se ata shpresonin të arrinin një marrëveshje kompromisi.
“Edhe 30 për qind do të kishte vërtet ndikim në zgjedhje,” tha ai.
Studentët gjithashtu përshëndetën krijimin e sindikatës së profesorëve në Universitetin e Tiranës, e cila doli në mbështetje të kërkesave të tyre dhe thanë se shpresojnë të mund të aplikojnë një model të ngjashëm për studentët.
“Plani është që sindikatat të shtrihen në çdo fakultet dhe universitetet e tjera,” tha Hajdari i Lëvizjes për Universitetin.
Mema shtoi: “Nuk është çështje të kesh vetëm një përfaqësues për klasë,” tha ajo për BIRN, duke përshkruar se një sistem për përfaqësimin e studentëve ka gjasë të godasë frikën në zemër të institucioneve akademike në të gjithë vendin.
“Përfaqësuesi nuk vendos vetëm në emër të tij. Ai është thjesht një delegat. Ai pyet shokët e tij të klasës para se të shkojë në mbledhje, shkon në takim dhe thotë se i është propozuar të bëjë këtë. Po ju çfarë doni të bëni? Pastaj ata shkojnë dhe votojnë.”/Libby Cherry – Reporter.al/