Në debatin e fortë për radhën, afatet dhe mënyrën se si bëhet dekretimi dhe betimi i Gjykatës kushtetuese ka dhënë më në fund mendimin e tij edhe Komisioni i Venecias.

Ajo ishte thirrur të ndante konfliktin e fillim nëntorit të shkuar, kur shumica qeverisësë u mundua ti rrëmbejë kreut të shtetit, emërimin e një anëtari të Gjykatës kushtetuese. Palët u ngërthyen në një konfikt ligjor, nëse aty duhet të shkonte Marsida Xhaferllari (sipas Metës) apo gjykatsja e betuar në Lanë, Arta Vorpsi (sipas socialistëve).

Për të realizuar qëllimin e saj, PS vuri në veprim Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ardian Dvoranin, Parlamentin dhe ministrinë e drejtësisë. Qëllimi i gjithë këtij zinxhiri qe që të dëshmonte se presidenti e kishte humbur të drejtën e përcaktimit të një kandidati (afatin 30 ditor) dhe kështu në kushtetuese katapultohej direct, Arta Vorpsi. Me këtë lëvizje arriheshin dy objektiva. Edhe Vorpsi quhej e zgjedhur, nëse emri i saj dilte në fletoren zyrtare edhe parlamentit i jepej mundësia të çonte në gjykatën kushtetuese dy gra të tjera, Fiona Papajorgjin dhe Elsa Toskën.

Opinioni paraprak për emërimet në Gjykatën Kushtetuese ka rrëzuar pretendmet e qeverisë se presidenti ka shkelur ligjin. Poshte pikat më të rëndesishme…

1)Ngritjen e Gjykatës Kushtetuese e vonuan socialistët

Dy vitet e para 2017/2018 KED “humbi kohë tepër të vlefshme për të shmangur krizën e tanishme kushtetuese”. Në vitin 2017 qeveria u ankua se anëtarët e KLD nuk kishin kaluar vetingun, disa anëtarë të KED u dorëhoqën, të tjerë u rrëzuan nga vetingu dhe për pasojë KED në 2017 nuk u mblodh asnjëherë.

Në 2018, KED u mblodh vetëm një herë, pasi përfaqësuesi i parlamentit kërkoi që KED të kufizohej vetëm në vendime adminstrative dhe të mos bënte renditjen e kandidatëve.

Sipas Komisionit të Venecias, “kërkesat e vitit 2017 dhe 2018, që KED të mos bënte renditjen e kandidatëve, nuk janë të bazuara në ligj. Nuk ishte e parashikuar as në Kushtetutë dhe as në ligj, që anëtarët e KED të kishin kaluar procesin e vetingut”.

2)Përzgjedhje e kandidatëve për gjykatën Kushtetuese u bë në fshehtësi

Sipas Komisionit të Venecias, një nga elementët më të rëndësishëm të KED është transparenca, për të patur besimin e publikut për procesin e emërimeve. Por me miratimin e një rregulloreje të brendshme, KED përjashtoi nga pjesëmarrja në procesin e vlerësimit te kandidatëve Avokatin e Popullit. Sipas Venecias, ky nen i rregullores së KED, duhet ndryshuar. Po ashtu, Venecia konstaton shkelje, edhe për mos publikimin e proces-verbaleve të mbledhjeve të KED, që kërkohet me ligj.

3)Meta kishte të drejtë që e pezulloi afatin 30 ditor

Nën dritën e interpretimit të Komisionit të Venecias, “pezullimi i emërimit të dytë ishte i vlefshëm dhe bllokoi fillimin e periudhës 30-ditore për emërimin e dytë në mënyrë që emërimi automatik të mos realizohej”.

4)Dvorani shkallmoi procedurën kushtetuese

Në këtë kontekst, sipas Komisionit të Venecias, dërgimi nga ana e kryetarit të KED-së, Ardian Dvorani te Presidenti i dy listave njëkohësisht, dërgimi i listave në Parlament, 6 ditë më vonë, dhe numri i kufizuar i kandidatëve, vetëm 6 për katër vende vakante “krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese”.

5)Anëtarët e Kushtetueses betohen vetëm tek presidenti

Pas konfliktit të fundit shumica socialiste votoi në parlament një ligj që i hiqte presidentit të drejtën kushtetuese për të organizuar betimin e gjyqtarëve. Venecia thotë se “anëtari [i Gjykatës Kushtetuese] nuk mund ta fillojë detyrën pa bërë betimin tek Presidenti. Betimi tek Presidenti është parakusht për marrjen e detyrës…Dispozitat e miratuara kohët e fundit, por që ende nuk kanë hyrë në fuqi…duhet të lihen mënjanë, pasi ato duket se janë jokushtetuese”.

6)Meta veproi sipas kushtetutës, nuk mund të shkarkohet

Komisioni i Venecias, thekson se “veprimet e presidentit, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, janë përgjithësisht në përputhje me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës. Veprimet e ndërmara nga presidenti, në përgjigje të mënyrës së veprimit të KED, janë të arsyeshme. Për këtë arësye, nuk ka bazë për shkarkimin e presidentit”. /Lapsi.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re