Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” u komentuan masat që Komiteti Teknik i Ekspertëve mori për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Teksa të gjithë po prisnin ndonjë mbyllje në fundjavë apo për dy javë, Komiteti la në fuqi masat e mëparshme.

Fasha e orarit policor do vijojë të mbetet 20:00 – 06:00. Ndërkohë nuk u tha për mbyllje në fundjavë. Në një lidhje “Skype” nga Zvicra, ishte mjeku shqiptar Florim Cuculi, i cili tha se duhet që të ketë më shumë testime që të ketë edhe një pasqyrim më të qartë të situatës.

“Në Zvicër kemi 1000 infektime në ditë, e në spitalin tonë kemi vetëm një pacient të intibuar. 25 mijë testime në ditë bëhen këtu. Në Shqipëri nuk bëhen mjaft teste dhe duket qartë. Duhen më shumë testime që të kesh një pasqyrim edhe të qartë. Nuk mund të bësh një mbyllje total, kur nuk ke një pasqyrë të saktë”, tha mjeku.

Ai tregoi se rruga që Zvicra ka zgjedhur të ndjekë është “mbyllja e butë që zgjat më gjatë”. “Restorantet janë të mbyllura, muze të mbyllura, aktivitete sportive të mbyllura, kinemate gjithashtu të mbyllura. Arsimi kurrë nuk është ndërprerë, universitetet kanë qenë onlinë. Ndërsa për klasat 7 e lart janë vendosur maskat”, tha ai.

Ai shtoi se në Shqipëri , Kosovë dhe Maqedoni, njerëzit nuk i respketojnë masat mirë.

“Unë kur takohem me një koleg nuk e heq maskën, përgjegjësinë e kanë edhe njerëzit. Duhet të kemi edhe ne përgjegjësi si qytetar. Në Kosovë dhe në Maqedoni i pashë se si i respektonin masat, restorantet plot. Të jepnin dorën ende si diçka normale”, tha ai.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re