Pandemia i sprovoi bizneset, duke kërkuar përshtatjen e tyre për të vijuar aktivitetin.

Për punonjësit, faza fillestare u përjetua në forma të ndryshme. Disa për hir të mundësive mund të vazhdonin punën nga shtëpia dhe u përshtatën menjëherë madje duke qenë edhe më produktivë.

Të tjerë u alternuan mes zyrës dhe shtëpisë sipas rastit e një grup tjetër, nuk kishin zgjidhje përveçse të vazhdonin rutinën e para pandemisë, por me masa shtesë dhe distanca brenda ambienteve të punës.

Prej një viti po jetojmë me COVID-19 dhe është më e thjeshtë të analizohen efektet e pandemisë te produktiviteti në punë. Së pari, në raportin punë nga shtëpia apo nga zyra, tregu shqiptar tregoi se mund të përshtatet, por puna në distancë nuk mund ta zëvendësojë atë nga zyra.

Kjo lidhet me kulturën ku ende përqafimi i modeleve të punës në distancë është shumë pak i pranishëm, po edhe me faktin se bizneset apo kompanitë ende nuk kanë të ngritura të gjitha sistemet e brendshme teknologjike që do t’ju mundësonin koordinim më të mirë të gjithë hallkave.

Banesat nuk janë të konceptuara të gjitha me studio të dedikuar për punë nga shtëpia. Prania e familjarëve dhe sidomos fëmijëve ka bërë që veçanërisht prindërit me fëmijë të jenë mes punës dhe prindërimit në të njëjtën kohë, duke pasur rënie të produktivitetit. Ky i fundit ka shënuar rënie edhe kur sheh mungesat në staf për shkak të infektimeve.

Prania e një hallke, por mungesa e një tjetre për shkak të pamundësisë shëndetësore ka lënë pezull apo ka zgjatur procedurat dhe kjo ka bërë që objektivat të mos kapen sipas afateve të përcaktuara.

Një element tjetër që duket se ka ndikuar produktivitetin e punonjësve ka qenë edhe pesimizmi për situatën, frika nga infektimi, apo humbja e njerëzve të dashur, çka konfirmohet edhe nga administratorët e kompanive.

Edhe pse puna dhe sigurimi i të ardhurave është jetike, një pjesë edhe e kanë braktisur atë nën frikën e pandemisë e të tjerë e kanë parë si formë reflektimi për të lënë pozicionin që kanë e për të kërkuar një më të mirëpaguar duke emigruar jashtë Shqipërisë. Por si paraqitet sot puna dhe produktiviteti i saj sipas sektorëve nga fasonët tek ndërtimi tek industria përpunuese.

Fasonët, punonjësit të dekurajuar nga pandemia, sektori në vështirësi

Pavarësisht se eksportet në janar të këtij viti shënuan rritje me 3.1%, grupi i tekstileve dhe këpucëve, kryesori me mbi 30% të totalit, ka pasur ecuri të dobët. Vendosja e karantinave të detyrueshme në shumë shtete e ka bërë të paqartë panoramën për kompanitë e mëdha që furnizonin me punë tregun shqiptar.

Eksportet në grupin tekstile dhe këpucë u tkurrën me 2% në raport me janarin 2020 sipas të dhënave të INSTAT. Situata pritet të jetë edhe më problematike në vazhdim dhe kjo përveçse ka dobësuar financiarisht kompanitë shqiptare, ka sjellë edhe rënie produktiviteti të punonjësve brenda tyre, për shkak të pasigurisë së vazhdimit të punës.

Ndërtimi nuk njeh rënie në asnjë drejtim, as në produktivitet

Sektori i ndërtimit prej vitesh është futur në një cikël rritjeje, si për sa i takon numrit të bizneseve në këtë fushë, ashtu edhe sipërfaqes së lejeve të dhëna për ndërtim apo çmimeve me të cilat po tregtohen njësitë në këto ndërtime për metër/katror.

Të dhënat e fundit të Anketës Strukturore të Ndërtimit treguan se bizneset e kësaj fushe u rritën me 9% në numër në vitin 2019.

Edhe në vitin 2020, teksa shumica e bizneseve pësuan rënie drastike, ndërtimi regjistroi rritje duke vijuar normalisht aktivitetin. Parashikohet që aktiviteti të ecë pozitivisht edhe gjatë këtij viti. Profili i punës, ku shumica e proceseve kryhet në ambiente të jashtme dhe me distanca, ka sjellë më pak punëtorë të infektuar.

Pandemia frenoi produktivitetin në bujqësi, por sërish më mirë se një pjesë e sektorëve

Bujqësia nuk mund të ishte e izoluar nga kushtet e pandemisë. Hallkat e saj nuk lidhen vetëm me prodhimin, i cili zhvillohet në ambiente të hapura, apo sera të mëdha ku rreziku i infektimit është më i ulët, por dhe me elemente të tjera, si koha për të arritur tregjet, mundësia për të siguruar grumbullues. Ndaj edhe pse në disa aspekte, bujqësia ka qenë më e favorizuar në kushtet e pandemisë sesa shumë sektorë të tjerë, ajo ka punuar e frenuar dhe nën potencial.

Fabrikat, në përpjekje për të mbajtur “bërthamën” në punë, profesionistët po largohen

Dëshira për të punuar mund të pësojë luhatje, por në kohë pandemie, shumica duhet se janë përpjekur të mbajnë vendin e punës për shkak se të ardhurat kanë marrë rëndësi të veçantë përballë pasigurisë së shëndetit.

Bizneset janë ndeshur në disa raste, jo me ulje të produktivitetit, por me rrezikun për të humbur bërthamën “elitare” të profesionistëve, të cilët kanë kërkuar mundësi më të mira, duke emigruar edhe në kohë pandemie.

Bar-kafenetë, markat e ndiejnë më pak dobësimin prej pandemisë

Bar-restorantet dhe kafenetë kanë qenë një ndër bizneset më të goditura nga pandemia, kur flasim për aspektin financiar dhe ndikimin kryesor e ka dhënë së pari kufizimi i orareve dhe së dyti, ai i mjediseve, ku shërbimi brenda deri vonë nuk lejohej.

Shumë prej tyre janë mbyllur, ndërkohë që të tjerë ia kanë dalë të rezistojnë. Përgjithësisht, markat në këtë sektor ia kanë dalë ta përballojnë më mirë situatën sfiduese të krijuar nga COVID-19, edhe në aspektin e produktivitetit në punë.

Zyrat, kombinim i vështirë me punën nga shtëpia

Tendenca e punës në distancë u evidentua sidomos gjatë karantinës së detyruar, kudo në botë, përfshirë edhe Shqipërinë në periudhën mars-maj, por edhe tani në periudhën e dimrit pas shtimit të rasteve me Covid-19.

Karantina detyroi bizneset që brenda ditës të kalonin nga kultura e punës në zyrë në atë të shtëpisë. Sigurisht në rastet kur kjo ishte e mundur. Por sa eficente ka qenë praktika në tërësi./ Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re