Epidemiologu Ilir Alimehmeti ishte i ftuar këtë të hënë në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku u shpreh se çelësi i sëmundjeve infektive janë vaksinat.

Alimehmeti theksoi se dhe pse me shfaqjen e varianteve të reja ka rënë efektiviteti i vaksinave, ata mbrojnë nga format e rënda.

Duke marrë parasysh motin, vaksinimin dhe numrin e personave që e kanë kaluar virusin, mjeku tha se do të ketë rritje të rasteve por rreziku për të manifestuar shenja të rënda është shumë i ulët.

“Duhet se kurba e rasteve të reja ka filluar të ndahet nga kurba e rasteve të rënda.

Duhet ta shohim Covidin siç sillemi me gripin. Nëse jemi qetë tek rastet e rënda, atëherë nuk ka më logjikë të vazhdojmë me rastet ditore.”, tha mjeku.

Përsa i përket vaksinimit të fëmijëve, Alimehmeti theksoi se nuk është i nevojshëm duke patur parasysh nivelin e transmetueshmërisë së virusit dhe forma që kalojnë.

“Fëmijët nuk kanë qenë kurrë motori i transmetueshmërisë. 2-8 përqind në një ambient familjar virusi ka qenë futur nga fëmijët. Klinika për vetë fëmijën është shumë e butë, aq e qetë.

Janë pesëfish rastet asimptomatike në krahasim me të rriturit dhe mbijetueshmëria e moshës poshtë 18-vjeç është 89 përqind.

Të gjitha vaksinat e kanë kaluar fazën eksperimentale dhe kanë autorizim emergjence. Një nga elementet kyçe pse nuk kanë aprovim të plotë është se nuk është studiuar në kohë siguria e tyre.

Kur ia ofrojmë një 14 vjeçari diferenca është shumë e madhe. Nëse fëmijët nuk janë transmetues, atëherë cila është arsyeja për t’u bërë këto vaksina.”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re