Policia e Lezhës ka arrestuar ditën e sotme shtetasin Gjovalin Nikolli, 39-vjeç, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Pas informacioneve të ardhura në rrugë operative për kultivim të kanabisit në fshatin Kulme të Mirditës dhe hetimesve disajavore, policia arriti të arrestonte në flagrancë 39-vjeçarin, i cili tentoi të kultivojë bimë narkotike në vendin e quajtur “Mrizi i Madh”, Njësia Administrative Rrëshen, Mirditë.
Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i policisë: Mirditë, Lezhë
Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, pas një hetimi 1-mujor.
Vihet në pranga autori i dyshuar i tentativës për kultivimin e bimëve narkotike.
Strukturat policore në DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike, pas informacioneve të marra në rrugë operative se në fshatin Kulme, Mirditë, po kultivoheshin bimë narkotike, pas një hetimi disajavor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
Gj.N.,39 vjeç, banues në Mirditë.
Ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës duke tentuar të kultivojë bimë narkotike në vendin e quajtur “Mrizi i Madh”, Njësia Administrative Rrëshen, Mirditë.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
…
/faxweb