Pamje të rënda janë ato që ka siguruar Fax News, nga ekzekutimi i Xhelal Reçit në Laç, në afërsi të biznesit të tij. Gjurmët e gjakut janë prezente në të gjithë zonën, ku Reçi ka tentuar që t’iu largohet dy autorëve që e kanë qëlluar me breshëri arme.

Ndaj Reçit është qëlluar me armë menjëherë sapo i ndjeri ka zbritur nga makina për të hapur qepenin e biznesit të tij, ndërkohë që edhe pse i plagosur ai ka tentuar që të fshihet mes dy objekteve, në mënyrë që tiu shpëtojë plumbave.

Por pavarësisht përpjekjeve ai ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërkohë që mjeti i tij Benz ndodhet ende në rrugën pranë biznesit. Autorët dyshohet se kanë qenë dy dhe të pamaskuar.

Një mjet “Toyota” u gjet i djegur në afërsi të zonës së Milotit, dhe që dyshohet se është përdorur nga autorët. Policia nuk bën me dije nëse në mjet është gjetur apo jo arma e krimit, ndërkohë që janë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të Kurbinit.

Familja Reçi ka disa biznese në zonën e Laçit, përfshirë lokale, dyqane me vëshmbathje dhe me elektroshtëpiake. Zona ku ndodhi ngjarja është nga më të populluarat në qytet, dhe policia ka bërë të mundur sekuestrimin e kamerave të sigurisë në të gjithë zonën, për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.

Faxweb.al raportoi më herët se Xhelal Reçi ishte një ish-punonjës policie, pa precedent penalë, ndërkohë që hetimet janë shtrirë në lidhje me konflikte që mund të kenë pasur anëtarë të tjerë të familjes së tij përfshirë djali dhe vëllai.

Ngjarjet ku janë përfshirë anëtarët e familjes Reçi:

Xhelal Reçi rezulton të jetë një ish-efektiv policie pa probleme me drejtësinë, ndërsa djali i tij Besniku dhe i vëllai Samiu kanë patur precedent madje edhe atentate të bujshme të kryera ndaj tyre.

Anëtarët e kësaj familje njihen për aktivitetet me të cilat merren, që kanë të bëjnë me pika të njohura biznesi. Ata janë bërë shpesh shënjestra të atentateve dhe sherreve, ndërsa rekordin e mban Besnik Reçi djali i Xhelalit mban rekordin.

Në 2013 një grabitje me armë e maska ndodhi vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë së Kurbinit. Pesë persona të maskuar plagosën me armë zjarri pronarin e dyqanit dhe izoluan bashkëshorten e punonjëset e tij. Më pas ata arritën të marrin një shumë të konsiderueshme parash e flori, që sipas raportimeve të kohës arrinin në shumën e 10 milionë lekëve të rinj.

Grabitësit janë afruar me një mjet dhe janë futur me shpejtësi në dyqanin dykatesh në pronësi të 36- vjeçarit Sami Reçi, por rezistenca e këtij të fundit për pak i kushtoi jetën. Për pasojë, Reçi mbeti i plagosur rëndë. Më 15 gusht të vitit të kaluar i bëhet atentat në aksin që lidh Shëngjinin me Lezhën, Besnik Reçit, djalit të viktimës së sotme.

Autorët e ndoqën ndërsa pamjet që u publikuan në atë kohë u bënë virale. Dy persona në një motor këmbëngulin për ta ekzekutuar.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re