Ilir Meta, i akuzuar nga SPAK për pastrim parash dhe korrupsion, ka nisur të ftojë gazetare dhe moderatore që t’a vizitojnë në burg për t’a intervistuar, por edhe për të parë nga afër gjendjen në të cilën ndodhet.
Meta ka bërë një shënim publik nga qelia, ku fton gazetaren Anduena Llabani që t’a vizitojë në ambientet e burgut “Jordan Misja” në Tiranë, pas deklaratave të saj në media për gjendjen shëndetësore dhe psikologjike të tij.
“Ndaj, meqënëse i beson kaq shumë SPAK-ut për shkak të marrëdhënieve të afërta profesionale që mund të keni me këtë institucion, për t’ju hequr këtë shqetësim që përhapët në publik, ju ftoj të takohemi këtu në ambientet e IEVP “Jordan Misja”. Jam i sigurt që nuk ka asnjë arsye që ju të mos e siguroni një ftesë nga SPAK edhe pse deri tani deputetët e Partisë së Lirisë apo edhe deputeti Dule dhe eurodeputeti Beleri nuk e kanë siguruar dot”, shkruan Ilir Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë ndalet dhe te akuzat për Edi Ramën, të vetët që ai i quan tradhëtarë dhe te deklaratat e forta dikur ndaj ndërkombëtarëve. Ilir Meta insiston sërish në ftesën e tij gazetaren Anduena Llabani, duke e ftuar në qeli.
“Kjo është një ftesë për të hequr shqetësimin tuaj nga ndonjë dezinformim që është shpërndarë nga SPAK (ose nga ndonjë bashkëpunëtor ose bashkëpunëtore e tij), që me urdhër të Edi Ramës ndaloi edhe gazetarët që ishin ftuar ditën e votimit për të filmuar votimin tim, gjoja për arsye teknike në mënyrë që qytetarët dhe votuesit të mos e shikonin që Ilir Meta është në top formë si asnjëherë tjetër.
Për kthjelltësinë time të siguroj, madje do ta shohësh edhe vetë nëse të japin leje, që është shumë më e mirë se sa e ndonjë spakisti që mund t’ju ketë dezinformuar juve sepse prej 8 muajsh unë zonjë e nderuar pi vetëm lëng boronicë Puke. Ndërsa ata të SPAK-ut nga euforia e 83 mandateve që i kanë dhënë Edi Ramës edhe mund ta teprojnë me verë, ndoshta jo aq të shtrenjtë sa e pi ai”, përmbyll Ilir Meta.