Uniformat blu kanë gjobitur 984 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, pasi janë konstatuar pa maska mbrojtëse në kundërshtim me masat anti-Covid.

Sipas policisë, pas kontrollit të ushtruar një subjekt është gjobitur me 1.000.000 lekë pasi lejoi aktivitetin në kundërshtim me aktin normativ.

NJOFTIMI I POLICISË

Policia e Shtetit

U konstatuan pa maskat mbrojtëse, ndëshkohen me masë administrative 984 qytetarë.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 829 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 155 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 12 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re