Presidenti i Republikës, Ilir Meta festoi së bashku me drejtues dhe anëtarë të shoqatave “Tirana”, “Bashkësia Dibrane”, “Tirona Intelectum” si përfaqësues të familjeve autoktone tiranase, 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.

Gjithashtu në ambientet e Institucionit të Presidentit, u mbajt një veprimtari kulturore-historike “101-vjetori i Tiranës kryeqytet” ku pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe përshëndetjeve të personaliteteve dhe historianëve, u promovuan librat “Shqipëria politike” e “Atdhetarët Shtaku”, si dhe u zhvillua ekspozita me piktura të dy mjeshtreve tiranas të penelit, Sadik dhe Buron Kaceli.

Gjatë fjalës së tij, presidenti Meta tha se shembja dhe shkatërrimi i objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike, është një gjenocid kulturor i papranueshëm për identitetin e Tiranës. Më tej ai shtoi se do të qëndrojë gjithmonë në krahun e qytetarëve tiranas dhe vlerave që ata përfaqësojnë.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Të nderuar drejtues të shoqatave të kryeqytetit tonë, të nderuar personalitete të shquara të Tiranës dhe mbarë vendit, të dashur përfaqësues të familjeve tiranase.

Jam shumë i lumtur, që jemi bashkë sot, në këtë ditë të bekuar, për të festuar 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë!

11 Shkurti i vitit 1920 është një ditë e veçantë për të gjithë ne, është një ditë e shënuar për qytetarët e Tiranës, të Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë!

Ndaj në këtë atmosferë feste, pavarësisht nga situata e pazakontë për shkak të pandemisë, dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të mbarë vendit: Gëzuar 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqendra e shqiptarëve! Ta ruajmë dhe ta mbrojmë Tiranën, që të mbetet jo vetëm kryeqyteti ynë, por edhe krenaria jonë dhe për këtë dua të falënderoj shoqatat tuaj dhe gjithë komunitetin, për përpjekjet që ka bërë deri tani, por sidomos për ato që do të bëjmë të gjithë së bashku në të ardhmen!

Vitet kalojnë shpejt dhe ja ku jemi tani në këtë 101-vjetor.

Viti, që sapo kaloi, po lë gjurmë të pazakonta për Tiranën, ashtu sikurse për mbarë vendin, por edhe më shumë. Përballja me pandeminë ka qenë dhe mbetet një provë e qëndresës dhe mbijetesës njerëzore, por edhe përkushtimit për jetën dhe për të ardhmen.

Për fat të keq sot mes nesh për shkak të kësaj pandemie, na mungojnë shumë miq e të afërm, për të cilët lutemi që shpirti i tyre të prehet në paqen e përhershme.

Për fat të keq gjithashtu, por jo për shkak të pandemisë, por të virusit të babëzisë, këtë vit Kryeqytetit i mungojnë disa prej monumenteve dhe vlerave të tij më të çmuara historike dhe kulturore.

Nuk kemi mes nesh sot, godinën e Teatrit Kombëtar, Këndin e Lojërave për fëmijë tek Rruga e Elbasanit dhe shumë shtëpi monumente kulture, lulishte të bukura, godina karakteristike dhe vila historike e tradicionale, që ishin kudo në kryeqytet.

Shembja dhe shkatërrimi i këtyre objekteve të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike, padyshim që është një gjenocid kulturor i papranueshëm për identitetin e Tiranës.

Ndaj jam i sigurt se do të bëjmë përpjekjet më të mëdha, për të mbrojtur trashëgiminë e vyer që na ka mbetur dhe për të cilën janë sakrifikuar të parët tanë në breza.

E vlerësoj faktin se në këtë përballje shoqatat tuaj kanë qenë përherë në ballë të manifestimeve për mbrojtjen e kësaj pasuri kulturore të jetës shpirtërore të kryeqytetit tonë. Përshëndes kurajën tuaj qytetare dhe ju siguroj se do të vazhdoj të jem, si dhe deri më tani përherë në krahun tuaj, për një Tiranë të qytetarëve dhe të vlerave që ata përfaqësojnë.

Të dashur miq, vendimi për shpalljen e Tiranës Kryeqytet, 101 vite më parë, ishte një nga aktet më të mençura dhe madhore, për të forcimin e shtetit që gëzojmë sot.

Të dashur bashkëqytetarë, traditat tiranase si bujaria, mikpritja dhe solidariteti njerëzor ishin tipare, të cilat i bashkuan shqiptarët të gjitha trojet dhe trevat në një ansambël kulturor të larmishëm dhe harmonik.

Ndaj në këtë 101-vjetor të Kryeqytetit gjej rastin të përkulem me nderim të thellë për të gjithë atdhetarët e shquar të Tiranës, për këshilltarët bashkiakë të qytetit, për Kryetarin e nderuar të bashkisë Ismail Ndroqi, si dhe gjithë familjet tiranase të asaj kohe , që e mirëpritën dhe hapën dyert dhe zemrat për ta shndërruar qytetin e tyre, në kryeqytet të gjithë shqiptarëve.

Të nderuara personalitete të shquara të Kryeqytetit, nuk ka arritje dhe përpjekje në historinë e Shqipërisë, në të cilën Tirana të mos ketë qenë në vijën e parë të këtyre përpjekjeve, të këtyre betejave, me atdhetarët e saj, me intelektualët e saj, por edhe me dëshmorët, martirët dhe heronjtë e saj.

Tirana ka qenë gjithmonë epiqendra e lëvizjeve politike e aspiratave për demokraci dhe e gjithë aktiviteteve për emancipimin shoqëror. Tirana ishte ajo e studentëve të demokracisë dhe vendosjes së pluralizmit politik, përmes presionit mbarë popullor.

Tirana përbën potencialin më me vlerë të mendimit të përparuar, por edhe të energjisë rinore që nuk duhet ta humbasim dhe të kapaciteteve intelektuale, që nuk duhet të flenë apo të heshtin.

Ajo është modeli që prin shqiptarët drejt demokracisë dhe qytetarisë, drejt shoqërive perëndimore dhe vlerave euroatlantike.

Të dashur bashkëqytetarët në këtë përvjetor të Kryeqytetit edhe njëherë ju uroj Gëzuar Festën e 101-Vjetorit!

Dhe sa më shumë ditë të lumtura, paqe dhe harmoni për qytetarët e Tiranës dhe mbarë shqiptarët!

Mbarësi e suksese në vatrat tuaja!”

Gëzuar 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqendra e shqiptarëve!
Shumë i lumtur, që këtë datë të shënuar për mbarë…

Posted by Ilir Meta on Thursday, February 11, 2021

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re