Profesor Neri mund të quhet i pari i dinastisë Kurti në boks. Sot, ushtron trajningun në ekipin e Tiranës edhe djali i tij Renato.

Ner Kurtin e njohin si legjendën e boksit shqiptar. Por, ai ishte shumë më tepër se kaq. Në fillimet e demokracisë, Kurti ka qenë një prej pjesëtarëve më të dalluar të repartit special 326, sot i njohur si reparti RENEA.

Në atë periudhë, të ishe pjesë e policisë, e sidomos repartit special ishte pak e vështirë. Vendi kishte dalë nga sistemi komunist dhe urrejtja ishte e madhe për uniformën.

Kujtimet me Skënder Kurtin, e kthejnë mikun e tij Shkëlqim Hajdari shumë vite pas në kohë, në Mars të vitit 1991. Reparti 326 kishte marrë detyrë për të tejkaluar një situatë delikate në terren.

“Kemi qenë në Elbasan në një operacion dhe Skënderi nuk kishte pajisjet special të forcave speciale dhe i them ku shkon? Hajt më thotë se s;ka problem komandant s;më gjen gjë, ka ardhur e ka marrë pjesë në operacionin e madh. Ishte paqësor por shumë serioz, jo me sensin për të dëmtuar”, tregon Shkëlqim Hajdari, mik i Skënder Kurtit.

Skënder Kurti, iku nga kjo botë duke luftuar deri në fund. Në fillim të Marsit, disa ditë me temperaturë të lartë kaluan me sportivitet si përherë nga Neri. Kur filluan problemet me frymëmarrjen, ai u shtrua në spital. Aty, mësoi se ishte infektuar nga koronavirusi. Gjendja e Kurtit u rëndua së tepërmi. Protokollet e sigurisë nuk lejonin njerëz të afërt ta takonin.

“Në spital si kam shkuar, nuk kam komunikuar edhe pse jam munduar por telefonin ja kishin marrë”, tregon Alban Bërmeta, boksier.

Në 23 Mars, u njoftua se ai ndërroi jetë. Por, pas disa orësh, Ministria e Shëndetësisë reagoi duke saktësuar se bëhej fjalë për vdekje klinike.

“Kam fol gjithë kohën me personelin mjekesor, 2-3 herë në ditë, dhe me Rrenin, por e vërteta ishte që gjendja pavarësisht se zgjati shumë ditë, mjekët më thonin, Pipero dhe shefja që është e rëndë se nuk zgjohej truri. Siç dukej zemra e fortë nuk e lëshonte por truri nuk rikuperoi”, tregon Alban Bërmeta, boksier.

Të gjithë pritën me shpresë për 2 javë me rradhë, por asgjë nuk mund të bëhej. Në 5 Prill, Skënderi u nda nga kjo botë. Covidi i kish marrë jetën.

Dhimbja e madhe për viktimat e Covid-19 është fakti se janë larguar pa pasur pranë njerëzit e zemrës. Përcjellja për në banesën e fundit, është një moment i vështirë për të gjithë. Situata, bën të pamundur varrimin sipas traditave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re