Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dërguar tre emrat Presidentit të Republikës si kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Sokol Sadushaj është propozimi i parë, ndjekur nga Ervin Pupe dhe Ilir Panda.

Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton se listën me tre emrat ia ka dorëzuar këtë të enjte Presidentit të Republikës për të vlerësuar dhe vendosur emërimin e kandidatëve të propozuar.

Sipas përcaktimeve të Kushtetutës, duke filluar nga marrja zyrtarisht e propozimeve, Presidenti i Republikës ka 10 ditë kohë që të vendosë për emërimin e kandidatëve, ose jo të tyre. Kushtetuta i njeh Presidentit mundësinë e refuzimit të emrave nëse ai mendon se nuk plotësojnë kriteret e kualifikimit, ose kushtet e zgjedhjes sipas ligjit.

Megjithatë, neni 136 i Kushtetutës parashikon si mekanizëm zhbllokues se dekreti i Presidentit e humb fuqinë kur kundër vendimit të tij votojnë shumica e thjeshtë e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pra, si shembull, nëse Meta vendos të refuzojë njërin prej emrave të mësipërm, KLGj mund të rrëzojë Metën, duke e çuar në Gjykatën e Lartë emrin në fjalë.

Gjithashtu, parashikohet edhe mosveprimi i Presidenit, pra rastet kur Presidenti nuk shprehet as me emërim dhe as me refuzim të kandidaturave.

Në këtë rast, i njëjti nen i Kushtetutës përcakton se kandidati shpallet automatikisht i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re