Tregtarët ambulantë kanë dalë ditën e sotme në protestë në Lezhë.

Ata shprehen për ‘Fax News’ se nuk kanë asnjë burim tjetër të ardhurash dhe se kanë vite që operojnë në treg me këtë biznes.

“Të na caktojnë një vend ku ne të zhvillojmë aktivitetin tonë dhe e mira do ishte të na lënë pa taksa por megjithatë vetëm që ne të vijojmë punën jemi të gatshëm ti paguajmë.

Nuk na kanë njoftuar më parë vetëm erdhën forcat e policisë dhe na larguan dhe në asnjë moment nuk i kemi kundërshtuar forcat e policisë. Ne nuk na njeh askush dhe s’kemi çfarë bëjmë apo ku të drejtohemi.

E kemi marrë mallin dhe do e hedhim sepse na e kanë lënë punën në mes dhe është i vetmi burim të ardhurash ky biznes që operojmë, shteti do të na heqë bukën e gojës”– shprehet një nga tregtarët ambulantë.

“Kam më shumë se 12 vite që operoj përgjatë bregdetit, ne jemi të paligjshëm por s’kemi çfarë bëjmë, unë nuk mund të dhunoj punonjësit por ama mos të vijë një tregtar nga Saranda edhe të konkurrojë pa taksë sepse duhet të jemi të gjithë të barabartë.

Në çdo vend të botës ka ambulantë, të vijnë të punojnë por të jenë taksapagues të rregullt si ne. Unë nuk po dal të zaptoj plazhin por vetëm kërkoj të punoj vetë sepse e kam mallin stok në magazine dhe kam bërë shumë shpenzime”-tha një tjetër tregtar ambulant.

Një zonjë e cila punonte prej gjashtë vitesh me këtë biznes tha se shteti duhet të marrë masa që të mos ketë përplasje me policinë dhe njëri tjetrin dhe secili të punojë në hapësirën e tij.

“Vlera më e madhe e produkteve që shesim është 1 mijë lekë të vjetra, ne nuk abuzojmë me çmimet”-përfundoi tregtarja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re