Presidenti amerikan Donald Trump ka nisur turneun e tij të parë ndërkombëtar gjatë mandatit të dytë, duke thyer traditën e presidentëve amerikanë që zakonisht e nisin udhëtimin nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja ose Meksika. Destinacioni i tij i parë është Arabia Saudite, ku ai është takuar me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.

Presidenti Trump pritet të marrë pjesë më vonë gjatë ditës në një forum të përbashkët investimesh SHBA-Arabi Saudite, ku është i listuar si folës edhe drejtuesi i kompanisë Tesla dhe SpaceX, Elon Musk. Në mbrëmje, është planifikuar një darkë shtetërore luksoze në kryeqytetin saudit, Riad.

Sipas burimeve zyrtare, presidenti amerikan do të qëndrojë në Riad deri nesër, përpara se të vazhdojë vizitën në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të takohet me udhëheqës të tjerë të rajonit.

Paraprakisht, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një marrëveshje për shitje armësh në vlerën e mbi 1.4 miliardë dollarësh me Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa gjatë qëndrimit të Trump në rajon priten të shpallen disa marrëveshje të tjera strategjike në fusha si inteligjenca artificiale, teknologjia e çipave, prodhimi dhe energjia. Një marrëveshje e madhe armësh me Arabinë Saudite mund të njoftohet gjithashtu gjatë vizitës.

Kujtojmë se kjo nuk është vizita e parë e Trump në Arabinë Saudite. Në vitin 2017, gjatë fillimit të mandatit të tij të parë, ai mbajti atje një samit të rëndësishëm me udhëheqës nga bota arabe dhe islame, duke theksuar bashkëpunimin kundër terrorizmit dhe përballjen me ndikimin iranian në rajon.

Në këtë vizitë të dytë presidenciale në Riad, pritet që Trump të trajtojë edhe çështjen e përpjekjeve për një armëpushim në Gaza, edhe pse vëmendja e tij kryesore mbetet përqendrimi në mega-marrëveshje ekonomike që synojnë të sjellin investime dhe vende pune në SHBA.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko