U plagos me një plumb në kokë në Padova të Italisë, vdes polici nga Berati, 59-vjeçari Fatos Cenaj
Ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në një spital në Itali, pas katër ditësh luftë për jetën, 59-vjeçari Fatos Cenaj, ish-gardian në burgun e Beratit. Ai u plagos rëndë më 8 qershor, në zonën “Via Casoni” të qytetit Fontaniva në Padova, ku jetonte prej tre vitesh e gjysmë me bashkëshorten, vajzën, dhëndrin dhe dy mbesat.
Cenaj u qëllua me armë zjarri në kokë, ndërsa kthehej në shtëpi me biçikletë. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një aksident rrugor, por mjekët e urgjencës, të cilët u kujdesën për të pasi u transportua nga familjarët, konstatuan se plagët në fytyrë ishin shkaktuar nga një armë zjarri. Plumbi kishte hyrë nga pjesa e pasme e kokës, duke dalë nga balli.
Pas konstatimit se Cenaj ishte qëlluar me armë, në vendngjarje mbërriti grupi hetimor, i cili izoloi zonën dhe nisi mbledhjen e provave. Autoritetet italiane po hetojnë disa pista, përfshirë një atentat nga ndonjë automjet në lëvizje apo një e shtënë aksidentale nga ndonjë banesë pranë vendit të ngjarjes.
Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe banesave përreth dhe janë marrë dëshmitë e dëshmitarëve që ndodheshin aty pranë. Sipas tyre, ata kanë parë vetëm momentin kur 59-vjeçari është rrëzuar nga biçikleta, por nuk kanë parë asnjë person tjetër të largohej nga vendngjarja.
Policia italiane bën me dije se, sipas deklaratave të dhëna nga bashkëshortja dhe familjarët e viktimës, Fatos Cenaj bënte një jetë normale në Itali dhe nuk kishte konflikte me askënd. Ai ishte larguar nga Shqipëria tre vjet e gjysmë më parë, pasi kishte kërkuar largimin nga radhët e policisë së burgjeve në Berat, ku kishte shërbyer për vite me radhë si gardian dhe më pas si drejtues i institucionit, në kohën kur drejtues i burgut ishte kunati i tij, Arif Dervishi.
Pas vdekjes së tij, Prokuroria e Padovas ka nisur hetimet për veprën penale të “vrasjes”. Sipas raportit mjeko-ligjor, Cenaj ka pësuar dy plagë në kokë – një plagë hyrëse pas veshit dhe një dalje në ballë, me trajektore nga poshtë-lart. Gëzhoja e plumbit mungon, ndaj nuk është përcaktuar ende lloji i armës së përdorur – nëse bëhet fjalë për një pistoletë apo një armë gjahu.
Motivi i ngjarjes mbetet ende i panjohur për autoritetet. Një nga pistat është ajo e një plumbi qorr të qëlluar aksidentalisht, por nuk përjashtohet as një atentat i lidhur me hakmarrje apo të kaluarën profesionale të viktimës.
Kush ishte Fatos Cenaj?
Fatos Cenaj ka lindur në Skrapar, në qershor të vitit 1966. Pasi përfundoi shkollën e policisë, u transferua me familjen në lagjen “30 Vjetori” në Berat, ku nisi punë si gardian në paraburgimin pranë DVP Berat dhe më pas në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Berat. Gjatë karrierës së tij, ka mbajtur për një kohë të shkurtër edhe detyrën e drejtorit të burgut, periudhë në të cilën kunati i tij, Arif Dervishi, ishte drejtuesi i këtij institucioni.
Drama e familjes: 18 mijë euro për transportin e trupit
Familjarët e viktimës kanë deklaruar se nuk e dinë ende nëse do të mund ta sjellin trupin e pajetë të Fatos Cenajt në Shqipëri, pasi autoritetet italiane u kanë kërkuar 18 mijë euro për transportin e tij. Shuma është shumë e madhe dhe familjarët nuk kanë mundësi ta përballojnë.


