Besimi i Donald Trump ndaj presidentit rus Vladimir Putin ka nisur të lëkundet ndjeshëm. Pas javësh të mbushura me optimizëm dhe deklarata për një marrëveshje të mundshme mes Rusisë dhe Ukrainës, presidenti amerikan ka bërë një kthesë të fortë në qëndrimin e tij.

Gjatë udhëtimit të tij të shkurtër në Romë për të marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut, Trump zhvilloi një takim kokë më kokë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Ky takim erdhi pas një debati të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt, dhe u pa si një përpjekje për të qetësuar ujërat.

“Putini nuk dëshiron fundin e luftës, po më bën shaka,” tha Trump gjatë fluturimit për në SHBA. Ai vuri në dyshim qëllimet e Kremlinit, veçanërisht pas sulmeve të fundit ruse ndaj zonave civile në Ukrainë. “Nuk kishte arsye për të lëshuar raketa mbi qytete dhe fshatra. Ndoshta duhet të ndryshojmë qasjen me sanksione të reja bankare apo dytësore,” shtoi ai.

Kjo është hera e parë që Trump bën një kritikë të hapur ndaj Putinit, pas thirrjeve publike të disa ditëve më parë për një marrëveshje paqeje. Përpjekjet diplomatike të të dërguarit special të Shtëpisë së Bardhë për Rusinë, Steve Witkoff, nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Edhe pse Moska shprehet gati për të negociuar “pa parakushte”, realiteti në terren flet ndryshe.

Trump ka vendosur një afat të shkurtër, rreth një jave, për të shqyrtuar mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Rusisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shtyjnë për një zgjidhje që përfshin sakrifica territoriale nga ana e Ukrainës, me Trump që përjashton rikthimin e Krimesë si pjesë e çdo marrëveshjeje.

Ndërkohë, Zelensky po tregon një farë fleksibiliteti. Sipas “New York Times”, Kievi ka paraqitur një propozim që përfshin një kontingjent sigurie evropian të mbështetur nga SHBA dhe përdorimin e aseteve të ngrira ruse si dëmshpërblim. Nuk përmendet rikuperimi i të gjithë territoreve të pushtuara apo anëtarësimi i menjëhershëm në NATO.

Takimi i Zelensky-t me Trump në Vatikan u përshkrua si “shpresëdhënës” nga të dyja palët. “Shpresojmë për rezultate konkrete,” tha presidenti ukrainas, duke e konsideruar takimin si një hap të mundshëm drejt historisë, nëse arrihet një marrëveshje.

Zelensky vijoi ditën me takime të rëndësishme me presidentin francez Emmanuel Macron, liderin britanik Keir Starmer dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, në përpjekje për të ndërtuar konsensus ndërkombëtar për një armëpushim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës.

Nga ana tjetër, Vladimir Putin njoftoi me bujë çlirimin e rajonit të Kurskut, i cili sipas Moskës ishte pushtuar nga forcat ukrainase që nga gushti i vitit të kaluar. Ukraina e mohon këtë pretendim, duke e cilësuar si propagandë dhe duke siguruar se “nuk ka kërcënim për rrethim të forcave tona”.

Në një situatë ku deklaratat publike dhe realiteti në terren shpesh bien ndesh, mbetet për t’u parë nëse sinjalet e reja nga Uashingtoni dhe Kievi do të çojnë drejt një zgjidhjeje të afërt, apo në përshkallëzim të mëtejshëm.

Përshtati në Shqip S

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko