Urdhri profesional i inxhinerëve, i cili është ende në fazën  e projektligjit, është kundërshtuar nga grupi i interesit, pasi sipas tyre nuk u është marrë mendim ekspertëve të fushës.

Inxhinierët shprehen se ky ligj i ri që synon të kalojë në Kuvend, do të prishë balancat në treg, dhe do të favorizojë vetëm një kategori individësh. Janë rreth 400 inxhinierë që kanë firmosur kundër këtij urdhri.

Në një intervistë për Fax Neës, inxhinierja Deshira Mena, është shprehur se ky ligj është në konflikt të hapur interesi, duke favorizuar një numër shumë të ulët personash.

“Ky projektligj është justifikuar me idenë se do të rregullojë dhe sistemojë aktivitetin e inxhinierëve në interes të aktivitetit publik. Por në çdo nen të parashtruar në këtë ligj, ne vëmë re kapjen, monopolizimin nga një këshill drejtues. Ne e marrim me frikë sepse ky urdhër i jep kompetenca dhe të drejta të parevokueshme një grupi njerëzish për të menaxhuar profesionin e inxhinierit.

Ka të bëjë me zhvendosjen nga administrata publike në dorë të një grupi njerëzish, ku jemi ne më të mbrojtur, kur jemi të varur nga administrata apo një grup njerëzish? I gjithë grupi drejtues, të mos harrojmë janë inxhinierë konkurentë në treg, njësoj si të gjithë ne të tjerët. E theksoj këtë, është sepse ka pjesëmarrje në projekte të ndryshme, grupi do të shërbejë si ent, dhe do të konkurojë me anëtarët e vetë?

Si mund të hyjnë në treg, drejtuesit e një grupi, që vetë paguhen nga anëtarësia. Çfarë do të thotë ti heqësh licensën një inxhinieri? Do të thotë që ti heqësh bukën e gojës, nuk është kaq e thjeshtë. Jam dakord që ti hiqet licensa në momentin kur nuk e ka ushtruar detyrën, por sa e drejtë është që vendimi të merret nga konkurentët e tij.

Që në momentin që ti i jep kaq shumë pushtet, e padiskutueshme që abuzimi nuk do të ketë kufi. Nëse ti nuk je te urdhëri, ti nuk mund të ushtrosh detyrën e inxhinierit. Në momentin që ti regjistrohesh te urdhëri, do ti nënshtrohesh një rregullore që është ndërtuar prej tyre”, tha Mena.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re