Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që mund të shfaqin efekte anësore pas vaksinës. Në një njoftim në faqen e saj zyrtare, QKUM, deklaron se deri tani vend janë vaksinuar kundër COVID rreth 400 mijë persona ndërsa shton se nuk ka pasur asnjë rast reaksionit apo përkeqësimit të gjendjes shëndetësore pas injeksionit.

“Që prej 11 Janarit 2021 vendi ynë ka nisur fushatën e vaksinimit anti-COVID “Shqipëria Buzëqesh”. Deri më tani janë vaksinuar rreth 400 mijë persona në të gjithë Shqipërinë dhe procesi i vaksinimit po ecën me ritme të shpejta, tashmë edhe për personat e grupmoshës nga 50 e lart.

Ashtu si në të gjithë botën, edhe në vendin tonë ka pasur raste të personave që kanë pasur shqetësime apo efekte anësore nga vaksinat.

Edhe pse deri tani nuk ka pasur asnjë rast të reaksionit apo përkeqësimit shëndetësor pas kryerjes së vaksinës, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që vaksinohen që për çdo shqetësim apo efekt anësor të telefonojnë 127 ose linjën e gjelbër 08004040. VAKSINOHUNI, RUANI JETEN!”, thuhet në njoftim

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re