Teksa viti akademik nisi me një valë protestash nga studentë të cilët nuk pranojnë që të vaksinohen si kusht për të marrë pjesë në auditor, shefja për sëmundjet infektive në ISHP, Silva Bino, qetësoi të rinjtë duke thënë se vaksina kundër COVID-19 nuk ka asnjë ndikim në shëndetin riprodhues.

“Një nga hezitimet e tyre është që, ne jemi të rinj dhe nuk kemi pse të bëjmë vaksinën. Është e vërtetë se COVID-19 kalon me forma të lehta te të rinjtë, por me shtimin e rasteve mund të kemi forma të rënda dhe vdekje. Vaksina nuk ka asnjë ndikim në shëndetin riprodhues, nëse mbetesh shtatzënë apo jo, si për femrat ashtu edhe për meshkujt. Të gjitha këto kanë qenë hamendësime të pabazuara. Të gjitha të dhënat e sotme, eksperimentale, në kafshë apo të dhëna në popullatën e përgjithshme, flasin se vaksina nuk ka asnjë efekt”, tha Bino, duke shtuar se aktualisht në dispozicion të studentëve janë dy vaksina, vaksina kineze “Coronavac” dhe “Pfizer”.

Lidhur me situatën nga COVID-19 në 24 orët e kaluara vihet re një ulje e shifrave të infeksionit, por kjo rënie është rezultat i përgjysmimit të testimeve. Kështu nga 2522 testime të kryera kanë rezultuar të prekur 217 persona, pjesa më e madhe prej të cilëve në kryeqytet. Aktualisht, janë 6274 pacientë aktivë në të gjithë vendin. Ndërkohë, vijojnë të jenë të larta shifrat e fataliteteve.

Të hënën janë shënuar 9 humbje jete, ndërsa në spital ka shënuar sërish rritje numri i pacientëve në terapi intensive. “Në spitalet COVID po marrin trajtim 153 pacientë, nga të cilët 24 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me COVID-19, 9 qytetarë: një qytetar nga Lezha 57 vjeç, një qytetar nga Kruja 66 vjeç, një qytetar nga Mati 66 vjeç, dy qytetarë nga Tirana 71-74 vjeç, një qytetare nga Durrësi 78 vjeçe, një qytetar nga Berati 78 vjeç, një qytetar nga Përmeti, 78 vjeç dhe një qytetare nga Vlora 83 vjeçe”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re