Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino u shpreh se në ditët e fundit ka një rritje të moshave të reja të prekura me COVID-19 prandaj i bëri thirrje edhe njëherë kësaj kategori që të vaksinohet për të shmangur rrezikun.

“Ajo çka shohim ne, me vërtetë nuk kemi raste në spitale tani, rastet e shtruara janë të pa vaksinuara, por shikojmë një rritje të grup moshave të reja, nga 15-24, nga 25-34 dhe 35-44 dhe mbi 70-vjeç kemi pasur raste.

Është e rëndësishme që grupmoshat e reja të vaksinohen, por edhe qendrat të mos lënë asnjë pa vaksinuar edhe në shtëpi edhe në komunitet, pasi ka shumë të pamundur që nuk dalin dot nga shtëpia” tha Bino.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se dyshimet janë se në Shqipëri qarkullon varianti “Delta”, por ende nuk ka asnjë zyrtare, pasi pritet informacioni i konfirmuar. “Javët e hapura do të vijojnë.

Vaksinimi për çdo grupmoshë të vazhdojë.

Vaksinimi i hapur ka vaksinuar, është rritur mbulimi dhe shihet një interes në rritje edhe për +18 vjeç.

Fakti i këtyre ditëve kemi një rritje të lehtë, kemi dyshime të arsyeshme nga sinjalet laboratorike se në Shqipëri qarkullon varianti Delta, por ende jemi në pritje të rezultateve.

Shihet në vendet e rajonit dhe përreth që ka një rritje të këtij varianti prandaj ka nevojë për rritjen e ndërgjegjësimit për vaksinim. Të hënën do të vijnë 44 mijë vaksina Pfizer” tha ministrja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re