Frederiku II (1712-1786) ishte mbreti i Prusisë nga vitit 1740 gjer më 1786. 

Ai nuk njihet vetëm si një mbret i suksesshëm, i cili e ktheu Prusinë në një fuqi europiane, po po ashtu njihet edhe si komandant ushtarak, historian, muzikant i talentuar dhe madje si një filozof i vërtetë e origjinal. 

Më poshtë, për kënaqësinë e lexuesve tanë, kemi renditur disa nga citatet më kuptimplota e më domethënëse të këtij libri. Mos harroni të na tregoni se cila ju pëlqeu më tepër. 

Veprimet e këqija janë njësoj si brirët e drerit: kur njëri ngec tek degët, të tjerët do ta kenë radhën pas tij. Atëherë, kujdes, kur të bësh hapin e parë!

Sovrani, larg të qenit padroni absolut i njerëzve që sundon, s’është asgjë tjetër veçse shërbëtori i tyre i parë dhe duhet të jetë instrumenti i lumturisë së tyre siç janë ata i lavdisë së tij.

Njerëzit e lumtur kanë frikë nga humbja e princit dhe e bamirësit të tyre më shumë sesa kanë frikë sundimtarët nga humbja e pushtetit të tyre.

Le të supozojmë që një pushtues nënshtron gjithë botën […], ai zor se do të mbajë mend emrat e provincave të tij dhe madhështia e vet, do të shërbejë vetëm për të ekspozuar se sa i vogël është në të vërtetë.

Trimëria e pushtuesit, kapaciteti i tij, përvoja e tij dhe arti i tij i udhëheqjes janë cilësi të cilat mund të admirohen veçmas tek ai, por ai nuk do të jetë kurrë asgjë tjetër veçse një njeri ambicioz dhe shumë i lig nëse ai i përdor ato padrejtësisht.

Nëse njeriu mendon vetëm për interesin e vet, shoqëria nuk do të ekzistonte më; në vend që të braktisen përfitimet personale për të mirën e përbashkët, flijohet e mira e përbashkët ndaj përfitimeve personale.

Gjithmonë duhet mbajtur mend mos t’u bësh të tjerëve atë që të tjerët nuk do të donim të na e bënin.

Nuk ka siguri për njerëzit që s’kanë virtyte.

Princat [sundimtarët] kanë lindur për të qenë gjykatës të popullit. Nga drejtësia e tyre buron madhështia e tyre.

Emri i respektuar i virtytit synon lumturinë e njerëzimit.

Kur pasionet nuk janë të tepruara ato mund të kontribuojnë për mirëqenien e shoqërisë; por kur ato zgjohen, bëhen të dëmshme dhe zakonisht shumë të rrezikshme.

Një njeri me integritet nuk duhet t’i parashtrojë gjërat vetëm nga një këndvështrim, por nga të gjitha anët për të mos mbuluar të vërtetën edhe nëse bie në kundërshtim me parimet e tij.

Ne kurrë nuk i gjykojnë gjërat nga vlera që kanë.

Nuk ka gjë më të mirë sesa fanatizmi për t’ua njohur meritat risive.

Lavdia më e lartë është t’i kthesh lirinë një populli.

Mbretërit asnjëherë nuk i shikojnë njerëzit ashtu siç janë në të vërtetë, por shohin atë që duan.

Ka të tjerë që zotërojnë të gjitha cilësitë e zemrës, mirëpo iu mungon intelekti brilant dhe aktiv.

Nëse servir si shembull tradhëtinë, do të ketë gjithmonë tradhëtarë që do të përpiqen të të imitojnë. Nëse servir si shembull pabesinë – a mendon se të pabesët do të ta shlyejnë nderin me mirësjellje?

Krimi është si një ortek që shkatërron çdo gjë që i del përpara dhe në fund copëzohet prej peshës së vet.

Pesha e tiranisë asnjëherë s’është më e rëndë sesa kur tirani kërkon të ndërtojë një fasadë pafajësie dhe ndërkohë nën hijen e ligjeve zë vend shtypja.

Ambicia: kjo fantazmë premton të mira që nuk është në pozitë t’i ofrojë dhe që nuk i zotëron. Ambiciozi është si një Tantal i dytë, i cili tek lumi ku po notonte, nuk mund të shuante as etjen e tij.

Lumturia e vërtetë është e lidhur me pasurinë aq sa ç’ka lidhje trupi i Hektorit me lëkurën e Akilit.

Lumturia e njeriut nuk gjendet askund tjetër përveçse tek vetvetja dhe vetëm mençuria mund t’ia hapë sytë për të zbuluar këtë thesar.

Filozofikisht mbretërit janë veçse njerëz dhe të gjithë njerëzit janë të barabartë.

Si rrjedhim edhe sikur të mos kishte drejtësi në tokë dhe as Zot në qiell, virtyti duhet të jetë gjithnjë e më shumë i pranishëm tek njerëzit. Sepse virtyti i bashkon ata dhe është absolutisht i nevojshëm për sigurinë e tyre, ndërkohë që krimi i katandis në një fat të mjerueshëm dhe i shkatërron ata.

Virtyti duhet të jetë motivi i vetëm i veprimeve tona, sepse virtyti dhe arsyeja janë dhe do të jenë gjithmonë të pandashëm nëse dikush dëshiron të veprojë me logjikë.

 

Ata e dinë se feja është një makineri e vjetër që nuk do t’i ikë kurrë koha dhe e cila është përdorur gjithmonë për të siguruar besnikërinë e njerëzve dhe për t’i dhënë fund arsyetimit të trazuar njerëzor.

Jeta jonë mund të gjykohet vetëm nga brezat e ardhshëm, të cilët gjykojnë ftohtë dhe pa interes.

Ashtu si mjekët që nuk kanë një ilaç për të shëruar të gjitha sëmundjet apo ndonjë kurë për të parandaluar komplikacionet e ndryshme, as eksperti dhe mendimtari më i aftë politik nuk mund të hartojnë një recetë me rregulla përgjithësuese në politikë për t’u aplikuar nga të gjitha format e qeverisjes dhe nga çdo shtet i caktuar.

[Sovrani] duhet ta konsiderojë mbrojtjen e shtetasve të vet si një ndër objektivat më të rëndësishme të kabinetit që drejton dhe thënë ky arsyetim, duhet t’ia ngarkojë vetëm vetes.

Kësodore ka vetëm një mjet të sigurt dhe të pagabueshëm për të ngritur reputacionin e mirë në shoqëri. Faktikisht, është sjellja me të cilën individi kërkon t’i paraqitet publikut.

Princat lypset të merren si duhet me përvetësimin e thellë të dijes dhe me forcën e madhe të arsyes.

Është më mirë të zhvillosh mendjen sesa të jesh skllav i ndjesive.

Paraja duhet të qarkullojë nëse duam të krijojmë një pasuri të vërtetë.

Zemrat e njerëzve nuk fitohen me pushtet, dhunë apo pasuri, por me vlera vetjake, mirësi dhe virtyt.

Mëshira e njeriut të ndershëm është rruga që të çon drejt virtytit, aq më pak doemos mençuria e tij e shpie drejt disiplinës.

Edhe sikur maska e shtirjes të mbulojë për ca kohë shëmtinë e një princi, ai nuk mund ta mbajë këtë maskë për shumë gjatë.

Njerëzit nuk gjykohen nga fjalët e tyre – ato të çorientojnë gjithnjë – por nga veprat.

E tillë është forca e zakonit tek disa njerëz aq sa, madje, mposht ndjenjat njerëzore.

Ajo që dua më tepër është merita.

Një princ [sundimtar] i matur s’duhet të mendojë vetëm për periudhën e sundimit të vet, por gjithashtu edhe për brezat e ardhshëm.

Sidoqoftë, nëse ka diçka që u jep gajret princave t’i rezistojnë sharmit të lajkave, është ideja e të qenit i mirëvlerësuar dhe e ushtrimit të kontrollit mbi veten më shumë sesa tek të tjerët.

Për princat e ligë lajkat janë si një helm vdekjeprurës që vetëm sa ushqen korrupsionin e tyre. Për princat e denjë lajkat janë si një turp që nxin fytyrën e lavdisë së tyre dhe u zbeh shkëlqimin.

Modestia është e pavend kur lavdërimet shprehen me zgjuarsi të hollë.

Në politikë, në vend se të pyesim veten nëse jemi të lirë apo jo, nëse fati dhe rastësia mund të ndikojnë sadopak apo jo, duhet menduar vetëm se si të përsosim mendjemprehtësinë tonë dhe si të selisim maturinë.

Është e domosdoshme, për ata që qeverisin botën, të kultivojnë mendjehollësinë dhe maturinë, por ka edhe më tepër; sakaq nëse ata duan të kontrollojnë fatin, ata duhet të mësojnë ta përshtasin temperamentin e tyre në përputhje me rrethanat, çka është shumë e vështirë.

Ne duhet të kujtojmë gjithmonë se asgjë nuk është e përkryer në këtë botë dhe se gabimet e dobësitë gjenden me shumicë tek njerëzit.

Për ta [sundimtarët] nuk mjafton të arrijnë fitore të shkëlqyera luftarake dhe të kënaqin ambicien e tyre për lavdi, por ata duhet të vënë në radhë të parë lumturinë e racës njerëzore dhe jo t’i japin dorë rrënimit të saj. 

Ndershmëria vlen për të gjitha kohërat; është si një ushqim i thjeshtë dhe bazik, që i bën mirë çdolloj organizmi dhe i cili e bën trupin të fuqishëm, pa e mbilodhur këtë të fundit.

Pra paanësia dhe një frymë pa paragjykime janë po aq të nevojshme në politikë sa ç’janë në drejtësi: në të parën për ta udhëhequr vazhdimisht veten sipas zërit të urtësisë dhe në të dytën për të mos dhunuar asnjëherë barazinë.

Thelbi i të qenit ushtar është mbrojtja e vatanit.

/shkollaesuksesit.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re