Skip to content

Vetëvendosje në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, Abazi: E drejta është në anën tonë

 

Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi foli në ABC-ja e mëngjesit për zgjedhjet e 25 prillit, ku pjesëmarrëse do të jetë edhe kjo lëvizje.

Abazi shpjegoi se VV ka propozuar dy kandidatura, në qarkun e Tiranës dhe në qarkun e Lezhës.

Me këtë përfshirje në zgjedhjet e 25 prillit, ai shtoi se qëllimi është të krijohet një valë entuziazmi, duke sjellë edhe një risi në Republikën e Shqipërisë.

“Unë mendoj që ka njerëz brenda PS, PD , apo PDIU që besojnë tek çështja e Bashkimit Kombëtar, por një pjesë e mirë e udhëheqësve të tyre nuk e kanë çuar përpara.

Besoj që korrupsioni ka qenë një ndër shkaqet kryesore. Sepse nëse je i korruptuar dhe me dosje atëherë je lehtësisht i komandueshëm.

Një nga vlerat e lëvizjes është dekriminalizimi i çështjes kombëtare. Ne kemi arritur që argumentet tona t’i fitojmë. E drejta është në anën tonë, në Kosovë jemi një hap larg, ndërsa në Shqipëri jemi një hap i parë që mendojmë ta çojmë përpara”, u shpreh ai.

Nëse një nga partitë PS apo PD do të ngrinte çështjen e Bashkimit Kombëtar, Abazi theksoi se kjo çështje do të diskutohej.

“Do ta diskutonim. Deklarata për bashkimin kombëtar kanë bërë shumë parti, por nuk e kemi parë në programe”, u shpreh ai.