Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka konfirmuar në detyrë prokurorin e Prokurorisë së Trianës, Endrit Bimi, pasi kaloi procesin e rivlerësimit në të tri kriteret.

Bimit gjatë seancës dëgjimore iu kërkuan shpjegime lidhur me huatë që i kishte dhënë babait të bashkëjetueses së tij si dhe me burimet financiare për blerjen e një banese.

Gjithashtu, ai qartësoi pozicionimin e tij në një marrëdhënie financiare të babait të ndjerë me një person tjetër, për të cilën i ati është përpjekur ta zgjidhë nëpërmjet një zyre përmbarimi, por që çështja vazhdon të mbetet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Prokurori u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Endrit Bimi e ka filluar karrierën si jurist në administratën publike dhe organizata jo-fitimprurëse. Ai ndoqi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitet 2004-2007 dhe u emërua më pas prokuror në Prokurorinë e Lushnjës. Prej vitit 2012, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Tiranës.